🔴 A po rihapet Qendra për Punë Sociale që u mbyll në Çair? Pas largimit të sportelit, Mexhiti dhe Ameti nënshkruajnë marrëveshje të re!

Hapet, mbyllet dhe premtohet sërish! Kjo është historia e Qendrës për Punë Sociale në Çair, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me pritje të gjata dhe të detyrohen të kërkojnë shërbime në komunat fqinje.

Sporteli i Qendrës për Punë Sociale, i cili funksiononte pranë Xhamisë së Çairit, ishte hapur në vitin 2022, gjatë kohës kur Komuna e Çairit drejtohej nga Visar Ganiu. Megjithatë, pas disa vitesh, ky shërbim u largua nga Çairi, duke i detyruar banorët të drejtohen në Butel për të kryer procedurat e tyre.

Pas mbylljes së sportelit, qytetarët u përballën sërish me pritje të gjata në komunat fqinje. Një banor i Çairit kishte ngritur shqetësimin publik se pritjet në Butel zgjasin dy deri në tri orë, duke theksuar se veçanërisht të moshuarit përballen me vështirësi për të përfunduar procedurat.

Tani, drejtori aktual i Qendrës për Punë Sociale, Hamza Ameti, së bashku me kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftojnë se kanë nënshkruar marrëveshje për hapjen e një Qendre Rajonale për Punë Sociale në Çair.

Sipas njoftimit të Ametit, qëllimi i kësaj marrëveshjeje është afrimi i shërbimeve sociale me qytetarët, lehtësimi i procedurave dhe ofrimi i përgjigjeve më të shpejta nga institucionet.

Por, ky zhvillim ngre një sërë pikëpyetjesh: pse një shërbim që qytetarët e Çairit e kishin në komunën e tyre u largua, duke i detyruar ata të udhëtojnë drejt Butelit, ndërsa tani duhet të nënshkruhet një marrëveshje e re për ta rikthyer?

Në vend të hapjeve dhe mbylljeve të përsëritura, qytetarët kanë nevojë për shërbime të qëndrueshme, staf të mjaftueshëm dhe qasje më të lehtë në institucionet sociale. Për të moshuarit dhe familjet në nevojë, pritjet prej disa orësh dhe udhëtimet në komunat fqinje janë një vështirësi e panevojshme.

Tashmë mbetet të shihet se kur do të hapet realisht Qendra Rajonale dhe nëse kësaj radhe shërbimi do të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme, pa u ndërprerë sërish.

Çairi nuk ka nevojë vetëm për marrëveshje dhe fotografi nga nënshkrimet, por për shërbime funksionale. Qytetarët meritojnë të mos sorollaten nga një komunë në tjetrën për të marrë shërbimet që u takojnë! /TS/

Back To Top