Burime të mirëinformuara për OnTarget zbulojnë se i ashtuquajturi “takim i liderëve” nuk ishte as iniciativë institucionale e as përpjekje për konsensus të gjerë politik, por një manovër e llogaritur e Hristijan Mickoskit për të hapur kanalin e dialogut me Ali Ahmetin, pa u përballur drejtpërdrejt me zemërimin e elektoratit të vet.
Pas një fushate të tërë të ndërtuar mbi demonizimin e BDI-së dhe Ahmetit, Mickoski e kuptoi se pa këtë dialog projekti i tij qeverisës është i paqëndrueshëm, dhe këtë tashmë e kanë kuptuar edhe faktorët ndërkombëtarë.
Pikërisht për këtë arsye u shpik “takimi i liderëve”: një skenografi politike për të krijuar përshtypjen e një procesi gjithëpërfshirës, ndërkohë që objektivi i vetëm real ishte normalizimi i komunikimit VMRO-BDI dhe krijimi i një alibie publike për një tête-à-tête Mickoski–Ahmeti.
Sipas burimeve tona, ky ishte edhe rezultati i vetëm konkret i gjithë këtij “takimi historik”, një takim i drejtpërdrejtë mes dy figurave kyçe të skenës politike.
