10 mesazhet kyçe të Bujar Osmanit nga Tirana:

Në dy intervista të dhëna sot në Tiranë, në A2 CNN dhe Euronews Albania, Bujar Osmani ngriti alarmin për atë që e cilësoi si një sulm sistematik, të qëllimshëm dhe të paraplanifikuar ndaj themeleve të paqes dhe barazisë në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, zhvillimet e fundit nuk janë episode të izoluara, por pjesë e një projekti politik për të zhbërë frymën dhe substancën e Marrëveshjes së Ohrit.

  1. Kam ardhur në Tiranë për të ngritur alarmin
    Osmani tha se ardhja e tij në Tiranë nuk ishte rutinë politike, por një thirrje alarmi për gjithë faktorin shqiptar
    . Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet një sulm sistematik ndaj Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, me fokus të drejtpërdrejtë në tre shtyllat e saj themelore: gjuhën, përfaqësimin e drejtë dhe orientimin eurointegrues të shtetit.
  2. Për një pjesë të elitës maqedonase, barazia ka qenë gjithmonë “e përkohshme”
    Një nga mesazhet më të forta të Osmanit ishte se një pjesë e elitës politike maqedonase kurrë nuk e ka pranuar barazinë e dalë nga Ohri si vlerë të përhershme. Sipas tij, ajo e ka parë këtë realitet si një devijim të përkohshëm nga rendi i vjetër dhe ka jetuar me idenë se një ditë do të krijohen kushtet për rikthimin e supremacisë etnike ndaj shqiptarëve.
  3. Ata mendojnë se tani është momenti për goditjen përfundimtare
    Sipas Osmanit, ky moment po konsiderohet i favorshëm për tre arsye: fitorja e konsoliduar e VMRO-DPMNE-së në zgjedhje, dobësia e rezistencës shqiptare brenda qeverisë nga ana e VLEN-it, dhe shpërqendrimi i bashkësisë ndërkombëtare për shkak të krizave globale. Në këtë kombinim, tha ai, është krijuar bindja se ka ardhur koha për goditjen finale ndaj Marrëveshjes së Ohrit.
  4. Deri dje dikush mendonte se kjo rezistencë ishte betejë për pushtet, sot kjo tezë ka rënë
    Osmani theksoi se deri në shpërthimin e protestës studentore, një pjesë e opinionit përpiqej ta paraqiste reagimin e BDI-së si një përpjekje për kapital politik apo rikthim në pushtet. Por tani, sipas tij, kur rezistenca ka kaluar nga partitë te studentët dhe qytetarët, është bërë e qartë se problemi është shumë më i madh: bëhet fjalë për një sulm real dhe të strukturuar që rrezikon të çajë vetë indin e shoqërisë.
  5. Protesta e studentëve ishte vetëm maja e ajsbergut
    Në leximin e tij, protesta studentore nuk është ngjarje e izoluar, por sinjali më i dukshëm i një pakënaqësie të thellë që po grumbullohet prej kohësh. Ai e përshkroi atë si pikën e parë të dukshme të shpërthimit, si pikën e fundit që derdhet nga gota e mbushur. Pra, jo fundin e krizës, por fillimin e shfaqjes së saj të hapur.
  6. Heshtja e Kosovës po lexohet si miratim dhe kjo duhet të marrë fund
    Një mesazh i drejtpërdrejtë u adresua edhe ndaj institucioneve të Kosovës. Osmani kërkoi që qeveria e Kosovës të sqarojë publikisht pozicionin e saj përballë këtij, siç e quajti ai, plani djallëzor. Sipas tij, në mungesë të një qëndrimi të qartë, heshtja po perceptohet si aprovim i heshtur, dhe kjo po prodhon pasiguri dhe zhgënjim te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
  7. Nëse kalon ligji për “përfaqësim të drejtë” dhe preket Ligji për Gjuhët, atëherë gjithçka mbaron
    Osmani dha një paralajmërim të prerë: nëse Kuvendi miraton ligjin e ri për të ashtuquajturin përfaqësim të drejtë, i cili sipas tij e institucionalizon majorizimin nën maskën e një “meritokracie” të rreme, dhe nëse Gjykata Kushtetuese prek qoftë edhe një germë të Ligjit për Gjuhët, atëherë varroset historikisht vetë traktati politik i bashkëjetesës në vend. Kjo, sipas tij, do të ishte jo thjesht një krizë ligjore, por fundi i kompromisit historik të vitit 2001.
  8. Po keqpërdoret Komisioni i Venecias për të justifikuar një agjendë politike
    Një tjetër akuzë e fortë e Osmanit ishte se qeveria po e përdor në mënyrë të njëanshme dhe selektive analizën teknike të Komisionit të Venecias për ta shndërruar atë në alibi për zhbërjen e Ligjit për Gjuhët. Sipas tij, kemi të bëjmë me cherry-picking klasik: merren vetëm ato pjesë që u shërbejnë planeve politike të qeverisë, ndërsa injorohen pjesët e tjera.
  9. Nëse e kanë aq seriozisht Komisionin e Venecias, pse nuk zbatojnë edhe pjesët që nuk u pëlqejnë?
    Osmani ngriti edhe një kundërpyetje që godet drejt në thelb të argumentit të qeverisë: nëse pushteti i referohet me aq ngulm Komisionit të Venecias, atëherë pse nuk zbaton edhe rekomandimet që nxisin përdorim më të gjerë praktik të bilinguilizmit, përfshirë në Parlament? Sipas tij, kjo tregon se nuk kemi të bëjmë me respektim parimesh, por me përdorim të përzgjedhur të opinionit ndërkombëtar për të legjitimuar një prapavijë politike.
  10. Roli i VLEN-it në këtë proces është tragjik
    Në fund, Osmani u ndal te sjellja e VLEN-it, të cilën e përshkroi si tragjike.
    Sipas tij, në vend që të kundërshtojë këtë ofensivë, VLEN po përdoret për të relativizuar dëmin, për të nënvlerësuar peshën e Ligjit për Gjuhët dhe për të zbutur reagimin publik. Në leximin e Osmanit, ky nuk është më konformizëm politik, por pjesëmarrje e vetëdijshme në një projekt që cenon barazinë e shqiptarëve, vetëm për të zgjatur edhe pak qëndrimin në pushtet.

Në thelb, mesazhi i Osmanit nga Tirana ishte i qartë: beteja që po zhvillohet sot në Maqedoninë e Veriut nuk është debat i zakonshëm partiak, por përplasje për vetë kontratën politike të paqes dhe barazisë. Dhe sipas tij, nëse ky moment nuk kuptohet me kohë, pasojat nuk do të ndalen te një ligj apo një vendim gjykate, por do të prekin vetë themelet e bashkëjetesës në vend.

Back To Top