Janevska nuk e “bën hesap” VLEN-in: “Çdo fëmijë duhet të arsimohet në zonën ku i përket.”

Deklarata e fundit e ministres së Arsimit, Vesna Janevska, po ngre pikëpyetje të forta për mënyrën se si po trajtohet çështja e nxënësve shqiptarë në Penko.

Janevska ka deklaruar se “çdo fëmijë duhet të arsimohet në zonën ku i përket, pavarësisht nëse është shqiptar apo maqedonas”.

Por në rastin e Penkos, situata duket krejt ndryshe.

Pas mbylljes së paraleles në gjuhën shqipe, fëmijët shqiptarë nga zona e Çairit mbetën pa mundësinë që të vazhdojnë mësimin në gjuhën shqipe në atë paralel. Penkoja, ndërkohë, administrativisht i përket Komunës së Butelit, duke e bërë çështjen edhe më të ndërlikuar për familjet dhe nxënësit shqiptarë nga Çairi.

Dhe këtu lind pyetja që tashmë duhet t’i drejtohet edhe partnerëve shqiptarë në pushtet, veçanërisht VLEN-it:

Nëse ministrja thotë se çdo fëmijë duhet të arsimohet në zonën ku i përket, ku është zgjidhja për fëmijët shqiptarë të Çairit që kanë mbetur pa paralelen në gjuhën shqipe në Penko?

Ajo që bie më shumë në sy është heshtja e VLEN-it përballë kësaj deklarate.

VLEN-i erdhi në pushtet duke premtuar se do të ishte zëri dhe mbrojtësi i interesave të shqiptarëve. Por në një çështje kaq të ndjeshme si arsimi në gjuhën shqipe, deklarata e ministres së Arsimit kërkon një reagim të qartë dhe konkret.

Nuk mjaftojnë postimet politike, deklaratat për përfaqësim apo premtimet elektorale. Prindërit dhe nxënësit kërkojnë një përgjigje të thjeshtë:

A do të kenë fëmijët shqiptarë nga Çairi të drejtën për të vazhduar shkollimin në gjuhën shqipe pranë zonës ku jetojnë, apo jo?

Nëse parimi është i njëjtë për të gjithë, atëherë ai duhet të vlejë njësoj për fëmijët shqiptarë dhe maqedonas.

Në të kundërt, deklarata për barazi në arsim mbetet vetëm një fjali politike.

Dhe pikërisht këtu VLEN-i duhet të japë përgjigje: jo me heshtje, por me zgjidhje.

Back To Top