BDI: Përjashtimi dhe diskriminimi vazhdojnë – shqiptarët vetëm 7,51% në sport

BDI ka reaguar ndaj ndarjes së stipendioneve sportive “Shpresë Sportive”, duke ngritur shqetësime për përfaqësimin e sportistëve shqiptarë në listën e përfituesve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Sportit, nga gjithsej 506 sportistë që kanë përfituar stipendione, 465 janë maqedonas, 38 shqiptarë dhe 3 boshnjakë.

Në përqindje, kjo përkthehet në 91,90% maqedonas, 7,51% shqiptarë dhe 0,59% boshnjakë.

BDI vlerëson se ky disproporcion kërkon sqarime nga institucionet dhe kërkon që Ministria të bëjë publike kriteret mbi të cilat është bërë përzgjedhja, pikëzimi i aplikimeve dhe mënyra e vlerësimit të sportistëve.

Nëse kriteret janë të njëjta për të gjithë, Ministria duhet të tregojë qartë si është bërë përzgjedhja, si janë vlerësuar aplikimet dhe mbi çfarë pikësh janë përzgjedhur sportistët”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas kësaj partie, çështja nuk lidhet me kërkesa për privilegje etnike, por me mundësi të barabarta, transparencë dhe njohjen e meritës së sportistëve.

BDI gjithashtu kritikon heshtjen e VLEN-it dhe kërkon përgjigje nëse kjo situatë përfaqëson barazinë dhe përfaqësimin e drejtë që, sipas tyre, ishte premtuar.

Në fund, BDI kërkon publikimin e plotë të kritereve, pikëzimit dhe procesit të përzgjedhjes për stipendionet “Shpresë Sportive”.

Sepse talenti nuk mund të jetë i padukshëm kur është shqiptar. Përjashtimi vazhdon. Mosnjohja vazhdon. VLEN vazhdon të heshtë!”, përfundon reagimi.

Back To Top