BDI: “Mos e përdorni emrin e Hagës për të manipuluar opinionin”
BDI ka reaguar ndaj deklaratave të partive politike maqedonase, duke theksuar se Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë janë dy institucione juridikisht dhe institucionalisht të ndryshme.
Sipas BDI-së, përpjekjet për t’i barazuar këto dy institucione përbëjnë manipulim të opinionit dhe krijojnë një pasqyrë të pasaktë mbi statusin dhe mandatin e tyre.
BDI rikujton se Tribunali për ish-Jugosllavinë u themelua në vitin 1993 nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar mbi bazën e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, me seli në Hagë.
“Hagë nuk do të thotë automatikisht i njëjti tribunal, i njëjti mandat dhe i njëjti status juridik”, thekson BDI.
Në reagim, partia kërkon që një proces gjyqësor ende i papërfunduar të mos zëvendësohet me një verdikt politik, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të procedurës, të drejtës së ankesës dhe prezumimit të pafajësisë.
BDI vlerëson gjithashtu se politizimi i drejtësisë dhe barazimi i proceseve juridikisht të ndryshme mund të krijojnë tensione të panevojshme ndëretnike.
“Drejtësia kërkon standarde të njëjta, por edhe saktësi juridike”, përfundon reagimi i BDI-së.
