Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, po zhvillon një sërë takimesh zyrtare gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në delegacionin qeveritar është edhe zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.
Megjithatë, në materialet dhe fotografitë e publikuara deri tani nga takimet e Mickoskit, Sali nuk shihet në krah të kryeministrit, ndërsa aktivitetet e publikuara kanë pasur në fokus Mickoskin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
Kjo ngre pikëpyetje mbi rolin konkret të zëvendëskryeministrit të parë gjatë vizitës në SHBA. Nëse Sali është pjesë e delegacionit qeveritar, mbetet e paqartë se në cilat takime dhe aktivitete zyrtare ka marrë pjesë dhe cila ka qenë pesha e tij në agjendën e delegacionit.
Deri tani, mungesa e tij në pamjet e takimeve kryesore të publikuara nga vizita ka bërë që roli i tij në këtë delegacion të mbetet i paqartë.
Në këtë situatë, pyetja që shtrohet është e thjeshtë: Në çfarë cilësie dhe me çfarë agjende konkrete ndodhet Bekim Sali në SHBA si pjesë e delegacionit të Mickoskit?
