Mickoski kërkon BE-në në tryezën e bisedimeve me Bullgarinë

Kryeministri Hristijan Mickoski kërkon që në bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të përfshihet drejtpërdrejt edhe një përfaqësues i Bashkimit Evropian.

Në një intervistë për MIA-n nga Uashingtoni, Mickoski tha se Qeveria nuk planifikon të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe se dialogu me Sofjen mbetet i nevojshëm. Sipas tij, çdo proces i ri duhet të ketë një përfundim të parashikueshëm.

„Nevojitet të kemi edhe dikë tjetër në tryezë. Le të jetë, për shembull, një përfaqësues nga Bashkimi Evropian“, tha Mickoski, duke argumentuar se prania e BE-së do të mundësonte një format më të gjerë të dialogut.

Mickoski theksoi gjithashtu se Shkupi është i gatshëm të diskutojë për harmonizimin e një plani aksional për pakicat, por kërkon që bisedimet të zhvillohen me praninë e komunitetit ndërkombëtar. Ai tha se fillimisht duhet të rikthehet besimi mes dy vendeve dhe se vullneti për dialog duhet të ekzistojë nga të dyja palët.

Çështja e marrëdhënieve me Bullgarinë, sipas kryeministrit, tashmë është pjesë e diskutimeve me përfaqësues të Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Në të njëjtën kohë, Mickoski përsëriti se Qeveria nuk e sheh tërheqjen nga marrëveshjet ndërkombëtare si opsion dhe se synon që pozicionet e Shkupit të argumentohen përmes dialogut dhe angazhimit diplomatik.

Back To Top