Qeveria e Maqedonisë së Veriut po përballet me një mungesë të parashikuar të të hyrave buxhetore që mund të arrijë në 6 deri në 7 miliardë denarë, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi mundësinë e një tjetër rishikimi të buxhetit deri në fund të vitit.
Sipas Mickoskit, bëhet fjalë për të hyra më të ulëta se ato të planifikuara, kryesisht si pasojë e uljes së akcizave dhe TVSH-së për karburantet. Vetëm nga akcizat, kryeministri vlerëson ndikimin në rreth 5 miliardë denarë, ndërsa ulja e TVSH-së pritet të shtojë edhe disa miliardë të tjera në diferencën e krijuar.
Në terma financiarë, shuma prej 6–7 miliardë denarësh është e barabartë me rreth 97–113 milionë euro. Mickoski tha se masat janë ndërmarrë për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të naftës dhe derivateve, por ato njëkohësisht kanë ulur të hyrat që shteti mbledh nga këto burime.
Për këtë arsye, kryeministri tha se po shqyrtohet mundësia për një rishikim të dytë të buxhetit brenda vitit, pas atij të miratuar në korrik.
“Presim që deri në fund të vitit të jemi më pak për rreth 6–7 miliardë denarë nga ajo që kemi planifikuar”, deklaroi Mickoski, duke shtuar se vendimi për rishikimin e buxhetit do të varet nga zhvillimet në muajt e ardhshëm.
Kjo situatë e vendos buxhetin përballë nevojës për rregullime të reja financiare, ndërsa mbetet për t’u parë nëse mungesa e parashikuar e të hyrave do të kompensohet përmes ndryshimeve në planifikimin buxhetor deri në fund të vitit.
