Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur sot në Shkup, në kuadër të vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor, ku në fokus janë hapat e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.
Një nga çështjet kryesore në procesin e integrimit mbetet ndryshimi i Kushtetutës, i cili është përcaktuar në kuadër të kushteve të dakorduara për avancimin e procesit të anëtarësimit.
Sipas Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për përfshirjen e qytetarëve që i përkasin popujve të tjerë, përfshirë bullgarët, në mënyrë që të përmbushë një nga kushtet e përcaktuara në kuadër të procesit.
Vizita e Von der Leyen në Shkup vjen në një moment kur Brukseli kërkon hapa konkretë për avancimin e rrugës evropiane të vendit. Në takimet me krerët shtetërorë dhe qeveritarë pritet të diskutohen reformat, procesi i integrimit gradual dhe mënyra e tejkalimit të ngërçit aktual.
Mesazhi i BE-së mbetet se procesi i anëtarësimit është i bazuar në përmbushjen e kushteve dhe reformave të përcaktuara.
