Në një koment të publikuar më herët në Facebook, Sandra Aleksandra kishte reaguar ndaj një diskutimi duke përdorur deklarata përgjithësuese dhe fyese ndaj shqiptarëve.
Në komentin e saj, ajo përmend edhe konfliktin e vitit 2001, duke shkruar se maqedonasit “nuk janë aq të fortë” dhe duke iu referuar rolit të amerikanëve. Në vijim, ajo përdor edhe shprehjen “племе нецивилизирано” (“fis i pacivilizuar”), në një pjesë të komentit ku u drejtohet shqiptarëve.
Komenti shkaktoi reagime në rrjetet sociale, ndërsa pas reagimeve të shumta, Aleksandra publikoi një deklaratë të re në Facebook ku kërkoi falje publike.
Ajo shprehet se “sinqerisht u kërkon falje pjesëtarëve të komunitetit shqiptar dhe të gjithë personave të tjerë të prekur nga fjalët e përdorura”.
Në deklaratën e saj, Aleksandra thotë se e tërheq “publikisht dhe në tërësi” komentin, duke përfshirë të gjitha vlerësimet dhe përgjithësimet e përmbajtura në të. Ajo pranon se fjalët e përdorura kanë qenë të papërshtatshme dhe shprehet se i vjen keq që i ka shkruar.
Më tej, ajo thekson se respekton dinjitetin e çdo personi dhe të gjitha komuniteteve etnike, duke shtuar se dallimet në mendime duhet të shprehen me respekt dhe pa përgjithësime denigruese.
Aleksandra, e cila prezantohet si mësuese, në deklaratën e saj thekson gjithashtu angazhimin për trajtim të barabartë dhe dinjitoz të çdo nxënësi, si dhe bashkëpunim me prindërit dhe kolegët mbi bazën e respektit të ndërsjellë, pavarësisht përkatësisë etnike.
