Pse kafeja në Shkup e Ohër kushton sa në Vienë? Tregu tregon të vërtetën që askush s’e thotë

ANALIZË EKONOMIKE

Para se me lexu shkrimin fillimisht më lejoni të jap sqarim në dy pyetje : 

Shpesh pyesim veten apo të tjerët se çfarë bën Inspektoriati? 

Inspektoriati Shtetëror i Tregut kontrollon vetëm zbatimin e ligjit (a ka menu transparente, a lëshohet kuponi fiskal, a ka marrëveshje të ndaluara kartel). Në tregun e lirë, shteti nuk ka të drejtë ligjore të caktojë tavan çmimesh për shërbime private jo-thelbësore si kafeja

Po si mundet të rregullohen çmimet ? 

Çmimi përcaktohet vetëm nga kërkesa dhe oferta. Për sa kohë kafenetë mbeten plot me ato çmime, tregu e pranon atë nivel. Ula e çmimeve bëhet vetëm përmes konkurrencës (p.sh. opsioneve takeaway) ose ndryshimit të zakoneve të konsumatorit.

Nga debati publik në televizion që ndoqa mbrëmjen e kaluar, vendosa që të shkruaj një analizë ekonomike krahasimore.
Shpesh pyesim veten se pse një kafe në qendër të Shkupit apo në shëtitoren e Ohrit mund të kushtojë pothuajse njësoj, e në raste të caktuara edhe më shtrenjtë se në disa nga qytetet kryesore evropiane. 

Logjika konsumatore menjëherë thotë, ky është dështim i inspektoriateve shtetërore për të rregulluar tregun. Sidoqoftë, nga këndvështrimi i teorisë ekonomike, kjo situatë nuk lidhet me mungesën e kontrollit ligjor, por me funksionimin e natyrshëm të tregut të lirë dhe strukturën e konsumit lokal.

Në një ekonomi tregu, çmimet e shërbimeve të hotelerisë nuk përcaktohen nga shteti. Inspektoriati Shtetëror i Tregut nuk ka mandat ligjor për të imponuar tavan çmimesh apo për të kufizuar marzhat e fitimit në sektorin privat, përveç rasteve të krizave të jashtëzakonshme ose produkteve strategjike bazë. 

Të mos harrojmë një tjetër faktor përcaktues është sezonaliteti, veçanërisht në qendrat turistike si Ohri. Me një sezon intensiv që zgjat kryesisht 2 deri në 3 muaj, bizneset vendore tentojnë të sigurojnë qëndrueshmërinë financiare të të gjithë vitit brenda një dritareje të shkurtër kohor. Çmimi i kafesë në Shkup apo Ohër është tregues i ekuilibrit mes kërkesës dhe ofertës në tregun vendor. 

Për sa kohë konsumatorët janë të gatshëm të paguajnë atë çmim për përvojën dhe kohën e kaluar në lokal, tregu do të vazhdojë të vetërregullohet në këto nivele.

I juaji Valon Ameti

Back To Top