🔴 Jurisprudenca në shqip askund Bekim Sali thotë në kohë rekord gjetëm zgjidhje

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, deklaron se është gjetur zgjidhje për mundësimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar procesin si një zgjidhje të arritur në “kohë rekord”.

Në një paraqitje televizive, Sali tha se brenda rreth tre muajsh është gjetur zgjidhja për një kërkesë që, sipas tij, studentët shqiptarë e kanë ngritur prej vitesh.

“Në periudhë rekorde, prej diku tre muajsh, kemi gjetur zgjidhje për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe”, deklaroi Sali.

Megjithatë, çështja ka qenë objekt debatesh dhe polemikash gjatë muajve të fundit. Studentët shqiptarë kishin kërkuar që provimi të mund të zhvillohej në gjuhën shqipe, ndërsa në fazat e mëparshme të procesit ishte diskutuar një model i kombinuar, ku pjesa teorike do të zhvillohej në shqip, ndërsa pjesa praktike do të mbetej në gjuhën maqedonase.

Në qershor, vetë Sali kishte deklaruar se pjesa teorike do të mund të zhvillohej në shqip, ndërsa pjesa praktike do të mbetej në maqedonisht, për shkak të dokumentacionit që përdoret në gjykata.

Ndërkohë, deklaratat e mëparshme për afatet dhe zgjidhjen kishin shkaktuar reagime, pasi në një moment kryeministri Hristijan Mickoski kishte deklaruar se për çështjen ende po punohej dhe se nuk ishte arritur marrëveshje përfundimtare.

Tashmë, Sali rikthehet me një deklaratë të re, duke e paraqitur çështjen si të zgjidhur dhe duke theksuar se kërkesa e studentëve, e cila kishte mbetur e hapur prej vitesh, më në fund po merr zgjidhje.

Mbetet për t’u parë se si do të konkretizohet kjo zgjidhje në procedurat ligjore dhe në praktikën e zhvillimit të provimit.

Back To Top