Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të martën një propozim të ri për postin e presidentit të Kosovës, duke propozuar akademiken Justina Shiroka-Pulën si kandidate për presidente të vendit.
Propozimi vjen në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit dhe për të shmangur shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Kurti ka bërë thirrje që edhe Partia Demokratike e Kosovës ta mbështesë këtë kandidaturë.
Shiroka-Pula aktualisht është kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), detyrë të cilën e mban që nga viti 2025. Ajo është gruaja e parë që drejton këtë institucion, i themeluar në vitin 1975.
Ajo ka shërbyer më herët edhe si ministre në një qeveri të lidhur me PDK-në. Kurti, i pyetur nëse kishte biseduar paraprakisht me Shiroka-Pulën për propozimin, tha se ajo ka qenë ministre e PDK-së dhe se edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, duhet të bisedojë me të.
Propozimi i ri i Kurtit tashmë pritet të jetë pjesë e negociatave politike në Kuvend, ndërsa mbështetja e nevojshme parlamentare mbetet çështja kryesore për zgjedhjen e presidentes.
