“Kaloi koha e ‘Kako do sega’” – Mihajlov e shet arrestimin e 65-vjeçarit nga Haraçina si dëshmi të “zero tolerancës” ndaj krimit

Drejtori Kire Mihajlov ka njoftuar arrestimin e një 65-vjeçari nga Haraçina, i cili dyshohet se ka transportuar dru për ngrohje pa dokumentacion përkatës, të pashënuara dhe të prera në mënyrë të paligjshme.

Sipas njoftimit të Mihajlovit, personi është ndaluar pas incidentit të djeshëm në fshatin Otla të Komunës së Likovës. Pas marrjes në pyetje, ndaj tij pritet të dorëzohet kallëzim për veprimet e dyshuara të paligjshme.

Mihajlov, duke iu përgjigjur kritikave për aksionin e djeshëm, e ka shoqëruar njoftimin me një mesazh politik, duke deklaruar se “ka kaluar koha e ‘Kako do sega’” dhe se drejtësia do t’i arrijë të gjithë ata që shkelin ligjin.

Ai ka përsëritur edhe premtimin për “zero tolerancë ndaj kriminalitetit dhe korrupsionit”, duke pretenduar se ligji do të zbatohet në çdo pjesë të vendit.

Megjithatë, mënyra se si u prezantua arrestimi ngre pikëpyetje nëse një rast individual duhet të përdoret si dëshmi për një ndryshim të përgjithshëm në luftën kundër krimit. Nga një arrestim i vetëm, mbetet për t’u parë nëse deklaratat për “zero tolerancë” do të shoqërohen edhe me rezultate konkrete dhe të barabarta në zbatimin e ligjit.

Rasti tashmë pritet të procedohet më tej nga institucionet kompetente.

Back To Top