5.5 milionë euro dhe një Bord pa shqiptarë – Zejd: “Nacionalizmi antishqiptar i Qeverisë po del në shesh”

Skender Rexhepi – Zejd ka reaguar ashpër ndaj përbërjes së Bordit Organizativ për shënimin e 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, duke kritikuar mungesën e përfaqësimit shqiptar në këtë strukturë.

Sipas Rexhepit, Bordi përbëhet nga 9 anëtarë, të gjithë maqedonas, ndërsa nuk ka asnjë shqiptar.

Ai thekson se është dashur të kalojnë gjashtë muaj, si dhe të ketë presion qytetar e mediatik, që përbërja e Bordit të bëhej publike.

Kritikat e Zejdit lidhen edhe me organizimin e manifestimit, për të cilin ai pretendon se ka kushtuar rreth 5.5 milionë euro, ndërsa artistët shqiptarë, sipas tij, janë lënë jashtë programit.

“Dhe ja pse paska qenë kaq sekret: 9 anëtarë, 9 maqedonas – 0 shqiptarë”, ka deklaruar Zejdi.

Ai e ka cilësuar këtë përbërje si dëshmi të një qasjeje monoetnike ndaj një ngjarjeje shtetërore, duke argumentuar se mesazhi që përcillet është se edhe Pavarësia e vendit trajtohet si ekskluzivitet i vetëm një komuniteti.

“Sikur shteti, edhe Pavarësia e Maqedonisë së Veriut qenka ekskluzivitet i maqedonasve, ndërsa shqiptarët mbeten qiraxhinj”, është shprehur Rexhepi.

Zejdi ka drejtuar kritika edhe ndaj përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri, veçanërisht ndaj VLEN-it, duke vënë në pikëpyetje reagimin e tyre ndaj përbërjes së Bordit.

“Ishin aty, por guximin për të reaguar e kishin lënë në shtëpi”, ka deklaruar ai.

Në reagimin e tij, Rexhepi e ka cilësuar qasjen e Qeverisë si “nacionalizëm antishqiptar”, duke paralajmëruar se vendime të tilla, sipas tij, e nxjerrin këtë qasje në pah para opinionit publik.

Deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk është përfshirë ndonjë qëndrim i Qeverisë apo i VLEN-it lidhur me akuzat e bëra nga Zejdi.

Back To Top