Gjini: AAK s’bëri pazar, nga sot jemi opozitë e pakompromis
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, pas përmbylljes së ciklit të konsolidimit të institucioneve, duke i dhënë fund bllokadave dhe zgjedhjeve që e mbajnë peng vendin, ka thënë se së bashku me të gjithë Aleancën janë kokëlartë para votuesve dhe qytetarëve.
Gjini ka thënë se Aleanca nuk ka hyrë në lojërat e diktuara për pushtet e as në kalkulimet e minutës së fundit.
“Ne kemi qenë të parët që kemi dalë me ofertë të qartë dhe të sinqertë menjëherë pas zgjedhjeve, sepse e kemi ditur që Kosova nuk ka nevojë të zvarritet e të shkojë sërish në zgjedhje”, ka shkruar ai.
Ndër të tjera, ka thënë se oferta e Aleancës ishte “parimore, për shtetin dhe qytetarët”.
Duke shtuar “njëjtë si qëndrimi jonë për Specialen dhe vota pro ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nuk bëmë asnjë pazar dhe secilin premtim dhe qëndrim e mbajtëm deri në fund”.
Ai ka vlerësuar se tash përgjegjësia kalon te dikush tjetër. “Sot, koha e bllokadave mbaroi dhe përgjegjësia absolute u mbetet atyre që morën pushtetin. Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren”.
Gjini ka paralajmëruar se do të jenë “opozitë e pakompromis”. “Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke takuar e dëgjuar qytetarët në çdo komunë të Kosovës. Do të flasim hapur dhe me emër për secilën shkelje, në secilin institucion dhe në çdo nivel të këtij pushteti. Nuk ka më hapësirë për arsyetime”.
Kosova të martën arriti ta zgjedhë presidenten e re të vendit, Justina Shiroka-Pulën. Në rast se nuk do ta zgjidhte presidenten, vendi do të detyrohej të shkonte sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Marrëveshja politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës u arrit në minutat e fundit të mbrëmjes së të martës.
