Prokurori Faton Azizi, me prejardhje nga Kumanova, është në garë për drejtimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut.
Më 13 tetor, Azizi prezantoi programin e tij para Këshillit të Prokurorëve Publikë, duke paraqitur prioritetet që synon të zbatojë nëse zgjidhet në krye të këtij institucioni.
Ndër prioritetet kryesore të tij janë forcimi i kapaciteteve të Qendrës Hetimore, trajtimi më aktiv i rasteve që lidhen me personat në listat e zeza të partnerëve ndërkombëtarë, si dhe intensifikimi i luftës kundër pastrimit të parave.
Azizi synon gjithashtu një qasje më efikase në hetimet financiare dhe ekonomike, me përfshirjen e ekipeve profesionale që do të mbështesin punën e prokurorëve.
Ai është njëri nga kandidatët që garojnë për drejtimin e prokurorisë, ndërsa zgjedhja e drejtuesit të ri pritet të përcaktojë udhëheqjen e institucionit që merret me rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
