Rama reagon për protestën: “Nuk mund të jenë duart e studentëve, këto janë duart e opozitës”
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën dhe dëmtimin e godinës së Kolegjit të Evropës, duke deklaruar se studentët nuk janë përgjegjës për aktet e dhunës.
Ai akuzoi opozitën se, sipas tij, qëndron pas veprimeve që synojnë të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë.
Në reagimin e tij të parë për protestën, Rama theksoi se qeveria është e gatshme të komunikojë dhe të diskutojë me studentët, ndërsa i cilësoi autorët e dëmtimeve si persona të tjerë, të cilët i lidhi me opozitën. “Nuk mund të jenë duart e studentëve. Për ta jemi gjithmonë të gatshëm të flasim e të diskutojmë. Këto janë duar të tjera, që duan ta ulin Shqipërinë. Janë duart e një opozite që, me maska, e verbuar nga urrejtja, me zjarr e hekur, kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk do të kthehet kurrë më: në humnerën nga e cila të gjithë së bashku e nxorëm dhe prej nga po ngjitemi drejt majës historike, në Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Deklarata e kryeministrit vjen pas protestës dhe dëmtimeve të raportuara në godinën e Kolegjit të Evropës.
Në reagimin e tij, Rama e vendosi theksin te dallimi mes studentëve, me të cilët tha se është i gatshëm të dialogojë, dhe personave që, sipas tij, kanë kryer aktet e dhunës.
Ai e lidhi gjithashtu situatën me përplasjen politike me opozitën, duke pretenduar se veprimet e saj synojnë të pengojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. “Kolegji i Evropës ndodh sot të jetë simboli. Janë orë të vështira, por orë që do t’i kalojmë të gjithë së bashku, sepse Shqipëria do të vazhdojë të ngjitet, do të vazhdojë në rrugën e saj”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria nuk do të lejojë që, sipas tij, të rikthehet në të kaluarën dhe të pengohet në rrugën e integrimit evropian.
“Kurrë më s’do të jenë ato duar që e kanë kapur për fyti dhe e kanë zhytur thellë e më thellë opozitën shqiptare, s’do ta kapin dot Shqipërinë”, shtoi kryeministri.
Rama u ndal edhe te përgjegjësia ligjore për dëmtimet, duke theksuar se personat përgjegjës duhet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre.
“Përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit. Secili që ka bërë këtë katrahurë do të paguajë, sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas”, u shpreh ai.
Në përfundim, Rama e cilësoi atë që ndodhi si një përpjekje për t’u rikthyer te e kaluara, ndërsa theksoi se e ardhmja e vendit u përket studentëve dhe qytetarëve shqiptarë.
“Katrahura që u kthye në verbërinë e saj, fantazma që do të përpiqet të rikthehet, do të mbetet e kaluar. E ardhmja është e studentëve, e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, përfundoi Rama.
