Mevlan Ademi me porosi për portalet e pushtetit dhe PR-in e VLEN-it: “Mos mi copëtoni deklaratat!”
Mevlan Ademi nga Lëvizja Studentore ka reaguar përmes një videoje ndaj shpërndarjes së një fragmenti të fjalimit të tij, i cili, sipas tij, është nxjerrë nga konteksti për të krijuar përshtypjen se studentët janë pajtuar me modelin e propozuar për provimin e jurisprudencës dhe kanë falënderuar ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari.
Duke iu drejtuar portaleve të afërta me pushtetin dhe përfaqësuesve të marrëdhënieve me publikun të partive politike, Ademi kërkoi të ndalet shpërndarja e videos së copëtuar.
Postimi i Mevlan Ademit:
Të nderuara portale dhe PR-e politike,
Mjaft më me porosi nëpër grupe për ta shpërndarë videon time të copëtuar. Një fjalë e prerë në mes nuk e ndryshon të vërtetën.
Prandaj po e them sërish, të plotë: Patjetër që e vlerësojmë çdo hap përpara. Nga 100% maqedonisht, në 50/50 të Bekim Salit, e tani në 84% të Shasivarit. Por si mund të shpallim fitore të plotë me zgjidhje gjysmake dhe kur edhe këtë pak progres më pas e kundërshton vetë Kryeministri, pavarësisht se çfarë thonë ligji dhe Kushtetuta!
Do të kisha dashur me gjithë zemër që të festonim një fitore të përbashkët dhe të ju faleminderoj sinqerisht nga zemra por ajo ditë do të jetë kur studenti shqiptar do ta japë provimin në gjuhën shqipe!
