Filipçe sulmon Vuçiqin dhe Mickoskin: Orbani ra, sot radha e Vuçiqit – të gjithë e dimë kush vjen më pas!
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka përcjellë një mesazh të ashpër politik lidhur me zhvillimet në Serbi, duke akuzuar pushtetin e Aleksandar Vuçiqit për parregullsi zgjedhore dhe duke tërhequr paralele me periudhën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit në Maqedoni.
Në deklaratën e tij, Filipçe theksoi se pas gati dy vitesh protestash të vazhdueshme, paqësore dhe demokratike, studentët në Serbi kanë krijuar mundësi për ndryshimin e sistemit politik. Ai pretendoi se pushteti i Vuçiqit synon të manipulojë procesin zgjedhor përmes parregullsive me listat zgjedhore, presionit ndaj të punësuarve në sektorin publik dhe kontrollit mbi mediat.
Filipçe vlerësoi se Maqedonia e njeh një situatë të tillë nga koha e qeverisjes së Gruevskit, duke shtuar se, sipas tij, vendi sot po përballet me rrezikun e rikthimit në atë periudhë.
“Orbani ra. Tani radhën e ka Vuçiqi. Të gjithë e dimë kush është i radhës, kush është pjesë e atij grupi të organizuar kriminal”, deklaroi Filipçe, duke drejtuar kritika të ashpra ndaj pushtetit serb.
Ai gjithashtu kritikoi marrëdhëniet mes kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar raportin e Mickoskit ndaj Vuçiqit si të nënshtruar. Filipçe theksoi se dëshiron marrëdhënie sa më të mira mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, pa ndërhyrje në punët e brendshme të njëri-tjetrit.
Në fund, Filipçe shprehu mbështetjen e tij për lëvizjen studentore në Serbi, duke theksuar se qëndron përkrah rinisë dhe duke e mbyllur mesazhin me fjalët: “Studentët fitojnë!”
