Ndodhi edhe kjo/ Mes shqiptarit dhe maqedonasit në Bërvenicë, Gashi thotë: “Le të fitojë më i miri”

Në një paraqitje të sotme publike, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, është pyetur edhe për garën zgjedhore në Komunën e Bërvenicës, ku në garën për kryetar komune përballen një kandidat shqiptar dhe një kandidat maqedonas.

Gashi, duke komentuar garën mes dy kandidatëve, është shprehur se në këtë rast duhet të fitojë ai që merr mbështetjen më të madhe të qytetarëve.

“Le të fitojë më i miri”, është shprehur Gashi, duke mos bërë dallim mbi përkatësinë etnike të kandidatëve.

Deklarata vjen në një moment kur gara në Bërvenicë është veçanërisht e ndjeshme, duke marrë parasysh strukturën multietnike të komunës dhe përballjen mes kandidatit shqiptar dhe atij maqedonas.

Qëndrimi i Gashit ka tërhequr vëmendje, pasi në vend që të shprehte mbështetje të drejtpërdrejtë për kandidatin shqiptar, ai theksoi parimin se rezultati duhet të përcaktohet nga vota e qytetarëve.

Tash mbetet të shihet se kush do ta bindë elektoratin e Bërvenicës dhe kush do të dalë fitues nga kjo përballje zgjedhore.

Back To Top