Bujar Osmani nga Parisi ngre shqetësimet për Marrëveshjen e Ohrit dhe integrimit evropian
Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij të punës në Paris, po zhvillon takime në Senatin francez, Asamblenë Kombëtare dhe institucione të tjera franceze, me fokus në perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Në qendër të bisedimeve janë ngecja e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian, si dhe rëndësia e ruajtjes së stabilitetit ndëretnik përmes respektimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Gjatë takimeve, Osmani kërkoi angazhim më të fuqishëm të Francës për të siguruar vazhdimin e procesit të integrimit evropian të vendit, duke theksuar se Maqedonia e Veriut nuk duhet të mbetet jashtë proceseve kryesore evropiane në rajon.
“Është e qartë se kemi nevojë për mbështetje shtesë, në mënyrë që procesi i integrimit të vazhdojë”, theksoi Osmani, duke shprehur mirënjohje për kontributin e Francës në këtë proces.
Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua edhe Marrëveshjes së Ohrit, si themel i stabilitetit, barazisë dhe karakterit multietnik të shtetit. Osmani shprehu shqetësimet lidhur me zhvillimet që prekin zbatimin e parimeve themelore të kësaj marrëveshjeje.
Ai theksoi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe përparimi drejt Bashkimit Evropian janë ngushtë të ndërlidhura me stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë takimeve u shqyrtuan gjithashtu mundësitë e integrimit gradual në politikat dhe mekanizmat e Bashkimit Evropian, si dhe nevoja për mbështetje në kuadër të marrëdhënieve të vendit me Bullgarinë.
Vizita e Bujar Osmanit në Paris është pjesë e angazhimit për të forcuar dialogun me partnerët evropianë mbi integrimin e vendit dhe çështjet me rëndësi për stabilitetin e rajonit.
