Korrupsioni, gjyqësori, Kushtetuta dhe gjuha shqipe…. Brukseli ngre alarmin në Raport
Mungesa e ndryshimeve kushtetuese vazhdon të mbajë të bllokuar rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Komisioni Evropian kritikon mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, ndërhyrjet politike në gjyqësor dhe zvarritjen e reformave. Vërejtje ka edhe për marrëdhëniet ndëretnike, përdorimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë
Ersan PAJAZITI
Shkup, 4 nëntor – Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet në vendnumëro në procesin e integrimit evropian, ndërsa vendet e tjera kandidate po bëjnë hapa drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Raporti i fundit i Komisionit Evropian nxjerr në pah mungesën e progresit në ndryshimet kushtetuese, problemet në sistemin gjyqësor, korrupsionin dhe polarizimin politik që vazhdon të pengojë miratimin e reformave të rëndësishme. Përderisa Mali i Zi po afrohet drejt nënshkrimit të marrëveshjes së anëtarësimit, ndërsa Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina përfshihen në planet e ardhshme të zgjerimit, Maqedonia e Veriut mbetet jashtë këtij grupi, shkruan gazeta KOHA.
NDRYSHIMET KUSHTETUESE, PENGESA KRYESORE
Komisioni Evropian konstaton se autoritetet në Shkup nuk kanë ndërmarrë hapa për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat parashikojnë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, në përputhje me konkluzionet e Këshillit të BE-së të korrikut 2022.
“Nuk janë ndërmarrë përpjekje për miratimin e ndryshimeve përkatëse kushtetuese. Vendi është zotuar t’i iniciojë dhe zbatojë këto ndryshime”, thuhet në raport. Brukseli kërkon gjithashtu përpjekje shtesë për përmirësimin e marrëdhënieve me Bullgarinë, duke vlerësuar se takimet e Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore nuk kanë dhënë rezultate konkrete.
Vërejtje ka edhe për marrëdhëniet me Greqinë. Sipas raportit, disa përfaqësues të lartë qeveritarë nuk e respektojnë gjithmonë Marrëveshjen e Prespës, përfshirë përdorimin e emrit kushtetues të shtetit, gjë që mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
GJYQËSORI NËN PRESION POLITIK, KORRUPSIONI MBETET PROBLEM
Një ndër kritikat më të ashpra të Komisionit Evropian lidhet me gjendjen në gjyqësor. Brukseli vlerëson se pavarësia e sistemit gjyqësor vazhdon të cenohet nga ndërhyrjet politike dhe mungesa e burimeve financiare e njerëzore.
“Deklaratat provokuese të politikanëve të lartë për pastrimin e gjyqësorit dhe prokurorisë, përfshirë kritikat personale ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, përbëjnë ndikim të palejueshëm dhe frikësim”, thekson Komisioni Evropian. Raporti evidenton edhe anulimin e procedurës për pranimin e 130 kandidatëve në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë, për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore, duke paralajmëruar se kandidatët e rinj nuk do të mund të pranohen para vitit 2028.
Sa i përket korrupsionit, Komisioni vlerëson se ai mbetet i përhapur dhe përbën shqetësim serioz. Ndryshimet e Kodit Penal të janarit 2026 nuk i kanë eliminuar pasojat negative të ndërhyrjeve ligjore të vitit 2023, të cilat ndikuan në ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit. Komisioni paralajmëron se rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të zvarriten dhe shpesh përfundojnë me parashkrim, duke forcuar perceptimin e pandëshkueshmërisë, raporton KOHA.
GJUHA SHQIPE DHE PËRFAQËSIMI I DREJTË NË RAPORTIN E BE-SË
Një pjesë e raportit i kushtohet edhe marrëdhënieve ndëretnike, të cilat vlerësohen përgjithësisht stabile, ndërsa Marrëveshja Kornizë e Ohrit vazhdon të zbatohet. Megjithatë, Komisioni evidenton sfida të pazgjidhura në realizimin praktik të të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimin e komuniteteve joshumicë. Në këtë kontekst përmenden protestat e studentëve shqiptarë të drejtësisë, të cilët kërkuan mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Sipas Komisionit, kjo çështje ka nxitur debat më të gjerë për zbatimin e të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimin e drejtë në institucionet shtetërore. Vërejtje ka edhe për mosmiratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i propozuar pas shfuqizimit të mekanizmit të “balancuesit” nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2024. Komisioni konstaton se miratimi i tij vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së shumicës së nevojshme sipas parimit të Badenterit.
POLARIZIM POLITIK DHE REFORMA TË ZVARRITURA
Komisioni Evropian kritikon edhe funksionimin e Kuvendit, duke theksuar se polarizimi politik vazhdon të pengojë miratimin e ligjeve reformuese. Raporti evidenton mungesën e konsensusit për ligjet që kërkojnë shumicë prej dy të tretash ose shumicë të Badenterit, përfshirë Ligjin për Gjykatat dhe ndryshimet që lidhen me institucionin e Avokatit të Popullit.
Sa u përket zgjedhjeve, Komisioni vlerëson se ato kanë qenë konkurruese, por janë zhvilluar në një mjedis të polarizuar politik. Autoritetet nuk kanë shënuar përparim në zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias për reformimin e Kodit Zgjedhor.
Brukseli kërkon gjithashtu më shumë transparencë në financimin e reklamave politike, pronësinë e mediave dhe shpërndarjen e mjeteve publike, si dhe mbrojtje më efektive të gazetarëve nga kërcënimet dhe dhuna. Megjithatë, Maqedonia e Veriut merr vlerësime pozitive për harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.
Raporti i Komisionit Evropian përsërit mesazhin se, përveç zgjidhjes së çështjes së ndryshimeve kushtetuese, vendi duhet të dëshmojë rezultate konkrete në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Pa përparim në këto fusha, rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet e pasigurt.
