Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në një postim në Facebook me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, ka vënë theksin te rëndësia e 36 shkronjave të alfabetit dhe uniteti që simbolizon Kongresi i Manastirit i vitit 1908.
“Një popull që kujdeset për gjuhën e vet, kujdeset edhe për kujtesën, dinjitetin dhe të ardhmen e tij”, ka shkruar Shasivari, duke rikujtuar rëndësinë historike të vendimit për alfabetin e përbashkët shqip.
Por, një detaj në fotografinë që shoqëron urimin e ministrit ka tërhequr vëmendjen. Ndonëse në tekst përmenden 36 shkronja, në ilustrimin e publikuar në faqen e tij shfaqen vetëm 35 prej tyre.
Në listën e alfabetit në fotografinë zyrtare mungon shkronja “ZH”, njëra nga 36 shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe.
Kështu, në një postim që synon të nderojë gjuhën shqipe dhe Kongresin e Manastirit, ministri përfundon duke publikuar një alfabet të paplotë.
Një gabim që mund të konsiderohet teknik, por që nuk kalon pa u vënë re, sidomos kur bëhet fjalë për një mesazh zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë në Ditën e Alfabetit Shqip.
36 shkronja në fjalim, 35 në fotografi. Po “ZH”-ja ku mbeti, zoti ministër?
