Aktivistët e thjeshtë në konkurse pune për 477 euro, ndërsa familjarët e funksionarëve të VLEN-it me 2.000 euro – dy standardet e pushtetit?

Ndërsa qytetarët dhe aktivistët e thjeshtë përballen me konkurse pune ku pagat mezi arrijnë në 477 euro në muaj, vazhdojnë të ngrihen pikëpyetje për dy standardet në punësimin dhe avancimin e kuadrove të afërta me pushtetin.

Ndërmarrja Publike „Pyjet Kombëtare“ (Nacionalni Shumi), përmes Agjencisë për Administratë, ka shpallur konkurs publik për punësimin e 27 nëpunësve publikë në shtatë pozicione të ndryshme pune. Konkursi është publikuar më 23 nëntor, ndërsa afati për aplikim përfundon më 7 dhjetor.

Sipas konkursit, pagat mujore neto për pozitat e shpallura variojnë nga 26.050 denarë (rreth 424 euro) deri në 29.320 denarë (rreth 477 euro), për orar të plotë pune, 40 orë në javë.

Konkretisht, kërkohen shtatë bashkëpunëtorë të rinj për financa, dy për çështje juridike, nëntë për planifikim dhe analizë, një referent-arkëtar, gjashtë për prokurim publik, një bashkëpunëtor për përfaqësim dhe një teknik-hartograf.

Ajo që bie në sy është se për 25 nga 27 vendet e punës nuk kërkohet përvojë e mëparshme pune. Madje, për gjashtë pozitat në prokurim publik mund të aplikojnë kandidatë me arsim të lartë nga çfarëdo fushe.

Ndërkohë, kontrasti që ngre pikëpyetje është dallimi mes mundësive që u ofrohen aktivistëve të zakonshëm dhe përfitimeve që pretendohet se u sigurohen familjarëve të funksionarëve të VLEN-it, me paga që arrijnë deri në 2.000 euro.

A po krijohen dy kategori qytetarësh në tregun e punës: njëra që duhet të kënaqet me paga prej 424 deri në 477 euro dhe tjetra që, falë lidhjeve politike e familjare, përfundon në pozita shumë më të paguara?

Konkursi i „Pyjeve Kombëtare“ vjen në një kohë kur ndërmarrja ka një numër të madh të punësuarish. Sipas raportimit të „Faktor“, bazuar në Raportin e punës për vitin 2025, në fund të vitit të kaluar ndërmarrja kishte 1.413 të punësuar me afat të pacaktuar, ndërsa mbi 90 për qind të prerjes dhe transportit të drunjve e kryenin operatorë të jashtëm.

Në fund, pyetja mbetet: A është pushteti i VLEN-it mundësi për punësim dhe avancim për të gjithë, apo privilegj për rrethin e ngushtë të funksionarëve?

Back To Top