Vajzat e së ardhmes meritojnë liri, jo frikë! Mesazhi i Forumit të Gruas BDI Çair
Në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Forumi i Gruas i Bashkimit Demokratik për Integrim – Dega Çair, përcjell një mesazh të fuqishëm për një shoqëri ku çdo grua dhe vajzë ka të drejtën të jetojë e lirë, e sigurt dhe pa frikë.
“E drejta për të jetuar pa frikë nuk duhet të jetë aspiratë e grave, por pikënisje e çdo politike publike që vendos njeriun në qendër”, thekson Forumi i Gruas BDI Çair.
Forumi nënvizon se dhuna ndaj grave nuk është vetëm çështje individuale, por edhe një test i përgjegjësisë dhe funksionalitetit të institucioneve. Nga dhuna fizike dhe psikologjike, deri te kontrolli ekonomik dhe abuzimi digjital, kjo dukuri kërkon parandalim, reagim konkret dhe mbrojtje të vazhdueshme.
Përgjegjësia për të ndërtuar një shoqëri pa dhunë nuk duhet të kufizohet vetëm në ditët e fushatave sensibilizuese, por të jetë angazhim i përditshëm i institucioneve dhe i gjithë shoqërisë.
Brezi i ardhshëm i vajzave meriton të rritet në një realitet ku liria nuk kërkon frikë, ndërsa siguria nuk është privilegj, por e drejtë.
16 ditë aktivizëm – 365 ditë përgjegjësi. Asnjë kompromis me dhunën!
Forumi i Gruas – BDI, Dega Çair
