Deputetët e Frontit Evropian, Rina Ajdari dhe Salih Murat, janë takuar me raportuesit e Komisionit të Venecias, me të cilët kanë diskutuar propozimin që provimi i jurisprudencës të mund të jepet në gjuhët në të cilat zhvillohet mësimi në fakultetet juridike të akredituara në vend.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Frontit Evropian kanë prezantuar qëndrimin se çdo kandidat duhet të ketë të drejtën ta japë të gjithë provimin e jurisprudencës në gjuhën në të cilën ka studiuar drejtësinë në një fakultet të akredituar në Maqedoninë e Veriut.
Në këtë takim, deputeti Salih Murat ka theksuar se provimi i jurisprudencës është vlerësim i njohurive juridike dhe jo test i aftësive gjuhësore. Sipas tij, nëse pjesa praktike e provimit kërkohet në një gjuhë tjetër nga ajo e studimeve, kandidatët në praktikë përballen me dy provime: një për njohuritë juridike dhe një për njohuritë gjuhësore.
Ai ka argumentuar gjithashtu se shteti, duke akredituar fakultetet juridike në gjuhën shqipe, turke dhe angleze, duhet të garantojë që diplomat e fituara në këto institucione të mos zhvlerësohen gjatë procesit të dhënies së provimit profesional.
Si shembuj të praktikave evropiane, Murat ka përmendur Finlandën, kantonin zviceran të Fribourgut dhe Kosovën, ku, sipas argumentimit të paraqitur në takim, provimet përkatëse mund të zhvillohen në gjuhën e zgjedhur nga kandidati.
Një tjetër argument i ngritur kishte të bënte me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili është në fuqi që nga viti 2019. Sipas qëndrimit të paraqitur, deri më tani nuk ka një vendim gjyqësor që ndalon zbatimin e tij në këtë çështje.
Nga Fronti Evropian theksojnë se Qeveria tashmë ka pranuar që pjesa teorike e provimit të jurisprudencës të jepet në gjuhën në të cilën kandidati ka studiuar, ndërsa kërkesa e tyre është që i njëjti parim të vlejë edhe për pjesën praktike, pra për të gjithë provimin.
Sipas përfaqësuesve të Frontit Evropian, kjo kërkesë nuk është çështje kundër asnjë komuniteti, por lidhet me barazinë, sigurinë juridike dhe dinjitetin e të gjithë juristëve të rinj.
Ata kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë angazhimin në Kuvend dhe jashtë tij, derisa kjo e drejtë të realizohet për të gjithë kandidatët.
