Mensur Aliti, anëtari bordi në Agjencinë e Filmit, fitues tenderësh komunalë dhe donator i Lëvizjes BESA
Investigimi i të dhënave publike dhe raporteve financiare zbulon një profil të dyfishtë të Mensur Alitit, i cili shfaqet njëkohësisht në disa role të ndjeshme për opinionin publik. Sipas faqes zyrtare të Agjencisë së Filmit të Maqedonisë së Veriut, Aliti është i emëruar si anëtar i Bordit drejtues, organ që ka në dorë menaxhimin e politikave shtetërore në fushën e filmit. Ky funksion shtetëror e vendos atë në një pozitë vendimmarrëse, e cila kërkon standarde të larta integriteti dhe pavarësie. Kështu akuzon Sekretariati për Kulturë i BDI-së, ndërsa thonë se të dhënat e prokurimeve publike nxjerrin në pah një tjetër realitet.
Kompania “I-Point Marketing” nga Tetova, thuhet në reagim, ku Aliti figuron si bashkëpronar, ka përfituar disa tenderë të rëndësishëm nga Komuna e Tetovës, e udhëhequr nga Bilall Kasami.
“Vetëm gjatë viteve 2023–2024 kjo kompani ka arkëtuar dhjetëra mijëra euro nga kontrata për shërbime promovuese, brendim të qytetit, shtypje materialesh dhe dhënie me qira të pajisjeve për evente publike. Statistikat financiare flasin vetë: nga një kompani me të ardhura modeste në vitin 2022, “I-Point Marketing” u kthye në një përfitues të madh të buxhetit komunal në vetëm dy vite. Ironikisht, fitimi i raportuar ka qenë simbolik, duke lënë hapësirë për dyshime mbi mënyrën e menaxhimit të fondeve. Përtej rolit të tij si funksionar shtetëror dhe biznesmen fitues tenderësh, Aliti shfaqet edhe në një dimension tjetër: si donator politik. Raportet zyrtare tregojnë se në vitin 2023 ai ka dhënë 3.000 euro për Lëvizjen BESA, parti në krye të së cilës qëndron Bilall Kasami, i njëjti që nënshkruan kontratat fituese të kompanisë së tij në Komunën e Tetovës”.
Ky treshe funksionesh, vijon më tej reagimi, zyrtar shtetëror, përfitues tenderësh dhe donator partiak, ngre dyshime të rënda për konflikt interesi dhe përdorim të pushtetit publik për interesa të ngushta partiake e personale.
“Në një shtet ku transparenca shpesh mbetet vetëm në letër, rasti i Mensur Alitit është shembull se si pushteti, biznesi dhe politika ndërthuren në kurriz të interesit qytetar. Pyetja që lind është e qartë: a do të reagojnë institucionet e drejtësisë dhe antikorrupsionit, apo kjo do të mbetet një nga dhjetëra skemat që kalojnë pa asnjë pasojë?”
Ndryshe, portalb.mk ka raportuar pak më herët se, në muajin maj të këtij viti “I-Point Marketing” nga Komuna e Tetovës ka fituar tender në vlerë prej 999.999 denarë, ose 16.260 euro për “Dhënien me qira të pajisjeve për organizimin e eventeve dhe për shtypjen e materialeve”. Në vitin 2024 nga Komuna e Tetovës ka marrë 19.187 euro për dhënien e “shërbimeve për shtypje dhe fotokopjim”, në vitin 2023 ka fituar dy tenderë, një për “përgatitjen e materialeve promovuese dhe për brendimin e qytetit” për një shumë prej 38.444 euro dhe tjetrin për “prokurimin e materialeve të botuara” për një shumë prej 40.650 euro.
Siç shkruan Portalb.mk, Në vitin 2022 kjo kompani ka pasur të ardhura vjetore prej 3,6 denarë, në vitin 2023 ka realizuar 7,3 milionë denarë, ndërsa në vitin 2024 të ardhurat janë rritur në 8 milionë denarë. Por, fitimi i regjistruar në vitin 2024 ka qenë vetëm 1.000 euro. “Megjithatë, sipas portalit ‘Financa të hapura’ mund të vihet re vetëm se Komuna e Tetovës vetëm dy herë i ka paguar Mensur Alitit honorar në vlerë prej 22.000 denarësh kah mesi i vitit 2022”, thuhet në shkrimin e Portalb.mk.
