VIJOJNË SHKARKIMET MASIVE: Për një ditë rreth, 100 #shqiptarë më pak në “Higjienën Komunale” (EMRAT)

Vetëm një ditë më parë (të martën), 94 punëtorë shqiptarë janë larguar nga ndërmarrja komunale “Higjiena Komunale”, ndërsa numri total i të pushuarve nga ndërmarrjet e qytetit ka arritur rreth 500 persona. Prej tyre, mbi 350 punonjës janë nga kjo ndërmarrje që merret me pastrimin e qytetit, ndërsa të tjerët vijnë kryesisht nga ndërmarrja “Parqet dhe Gjelbërimi”, ku më shumë se 100 shqiptarë janë larguar nga puna

Evis HALILI

Shkup, 12 nëntor – Një valë masive shkarkimesh ka përfshirë ndërmarrjet publike të Qytetit të Shkupit menjëherë pas marrjes së detyrës nga kryetari i ri, Orce Georgievski. Vetëm një ditë më parë (të martën), 94 punëtorë shqiptarë janë larguar nga ndërmarrja komunale “Higjiena Komunale”, ndërsa numri total i të pushuarve nga ndërmarrjet e qytetit ka arritur rreth 500 persona, shkruan gazeta KOHA. Prej tyre, mbi 350 punonjës janë nga kjo ndërmarrje që merret me pastrimin e qytetit, ndërsa të tjerët vijnë kryesisht nga ndërmarrja “Parqet dhe Gjelbërimi”, ku më shumë se 100 shqiptarë janë larguar nga puna. Sipas vendimit të ri të administratës komunale, arsyetimi zyrtar për këto masa është se punëtorët “nuk kanë shkuar në punë”, por shumë prej të larguarve thonë se kjo është e pavërtetë dhe përbën diskriminim të hapur.

“Ka edhe prej atyre që nuk kanë ardhur ndonjëherë në punë, por janë shumë pak. Bashkë me ata, na kanë larguar edhe neve që çdo ditë kemi qenë në terren, në shi e në diell, për një kafshatë buke. Kemi pastruar çdo cep të Shkupit, e sot na japin vendimin për largim. Ku të shkojmë ne, me shkollë fillore e të mesme?”, thotë një prej punëtorëve, që ka më shumë se 15 vjet përvojë në ndërmarrje.

Kryetari i ri i Shkupit, Orce Georgievski, vetëm një ditë pas marrjes së detyrës deklaroi se ka larguar 370 punonjës, ndërsa dy ditë më vonë konfirmoi se numri ka arritur në 500. Fillimisht ai pretendoi se “këta punëtorë nuk kanë shkuar fare në punë”, ndërsa më vonë ndryshoi qëndrim, duke thënë se “të paktën tre deri pesë ditë nuk kanë qenë në punë”, çka përbën shkelje të Ligjit për nëpunës shtetëror, Ligjit për ndërmarrjet publike dhe Ligjit për administratën shtetërore. Georgievski madje paralajmëroi se punëtorët duhet të kthejnë pagat që kanë marrë gjatë periudhës kur, sipas tij, nuk kanë punuar, ndërsa tha se do të ketë përgjegjësi nga drejtorët e sektorëve që kanë lejuar situata të tilla.

Megjithatë, dëshmitë e punëtorëve të prekur e përgënjeshtrojnë këtë version. Ata theksojnë se rreth 90 për qind e të larguarve kanë qenë punëtorë aktivë dhe të rregullt, dhe se kjo valë shkarkimesh ka për qëllim “pastrimin etnik dhe politik” të ndërmarrjeve të qytetit.

Reagim të ashpër ka bërë edhe ish-kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, e cila e ka akuzuar pasardhësin e saj për “gjueti politike” ndaj punëtorëve shqiptarë. “Kryetar, me emër e mbiemër t’i publikoni të gjithë 500 të punësuarit dhe kush nga kur nuk ka shkuar në punë, që edhe aty të shihet se gënjen. Tre vjet për një copëz bukë të gjithë që shkonin në punë, ti i largove që të krijosh vende për ushtarët e tu partiak”, ka deklaruar Arsovska.

Në terren, atmosfera mes punëtorëve të “Higjienës Komunale” është e rëndë. Ata ndihen të poshtëruar dhe të frikësuar për të ardhmen e tyre ekonomike, ndërsa kërkojnë ndërhyrje nga institucionet përkatëse dhe inspektoratet e punës. “Kjo nuk është reformë, është ndëshkim. Na hoqën nga puna pa paralajmërim, pa shpjegim, vetëm sepse punojmë që nga koha e pushtetit të kaluar”, thotë një tjetër punëtor. Ndërkohë, shoqatat sindikale po përgatisin një padi kolektive për shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe për diskriminim në bazë etnie.

Back To Top