Zgjedhjet zvarritën lëndët në KSHPK, ende s’ka vendim për mijëra eurot e Komunës së Çairit që përfunduan te lokali i  zëvendësministres  

Ndonëse kanë kaluar gjashtë muaj që nga hapja e rastit pas raportimit të Portalb.mk, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ende nuk ka marrë vendim për pagesat e Komunës së Çairit ndaj kafiterisë “1Sh”, që është në pronësi të zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri. 

Pavarësisht se Antikorrupsioni në korrik njoftoi se kanë hapur lëndë për këtë rast, ende nuk ka vendim. 

Nga ky institucion thonë se rasti vijon, por që zgjedhjet kanë ndikuar në këtë drejtim. 

“Për shkak të procesit zgjedhor, periudhën e kaluar përparësi iu dha punës në çështjet zgjedhore. Pas përcaktimit të gjendjes faktike në rastin konkret, një vendim do të merret në seancë publike të KSHPK-së”, thanë nga Antikorrupsioni.  

Ata nuk treguan se kur pritet të merret vendimi. 

Në ndërkohë, KSHPK-ja është në procedurë të zgjedhjes së kryetarit të ri, pasi kryetarja paraprake u dorrëhoq pas akuzave për vepra penale. 

Kujtojmë që Portalb.mk ne qershor 2025 zbuloi se mijëra euro nga Komuna e Çairit i janë ndarë në mënyrë sistematike kafiterisë ‘1sh’ në pronësi të zëvendësministres së Transportit dhe ndër njerëzve më të afërm të Izet MexhititKaltrina Zekolli Shaqirit.

Mjetet janë ndarë pa shpallje publike dhe me marrëveshje sy-më-sy.

Afër 9 mijë euro i janë lëshuar kësaj kafiterie që kur Zekolli-Shaqiri është zëvendësministre, për më pak se 1 vit.

Fqinjët e intervistuar nga Portalb-i thanë se kafiteria më së shpeshti frekuentohet nga aktivistë të Lëvizjes Demokratike.

Komuna e Çairit s’i komentoi transaksionet e vjetra, thotë se në vitin 2025 aty janë ushqyer sportistët e Çairit kur kanë pasur gara, gjithashtu nuk përgjigjet se pse vetëm ky lokal ndër vite kryen këtë ‘shërbim’ për ata, pa ju dhënë mundësi bizneseve tjera.

Zëvendësministrja theksoi se është vetëm pronare dhe se nuk merret me pjesën e pagesave.

Back To Top