Ali Ahmeti: Arritje historike e Shqipërisë, shembull për gjithë Rajonin
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përshëndetur arritjen historike të Shqipërisë, e cila brenda 12 muajve ka hapur të gjithë kapitujt negociues të ndarë në 6 grupkapituj, një rekord mbresëlënës në procesin e integrimit europian.
“Arritje e jashtëzakonshme, një bravo e madhe për Shqipërinë, bravo Edi. Vërtetë për shqiptarët, dielli lind në perëndim,” deklaroi Ahmeti, duke e cilësuar këtë sukses si një hap të madh për gjithë kombin.
Ai apeloi që Maqedonia e Veriut dhe Kosova të ndjekin shembullin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke u përkushtuar me angazhim konkret në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe në tejkalimin e sfidave që ka rajoni.
Në një kohë sfidash globale dhe tensioneve në kontinent, Ahmeti theksoi se orientimi i qartë europian mbetet përcaktimi më i sigurt për të ardhmen e kombeve tona dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.
