Ademi: Edhe Rrahman Morina do t’ua kishte zili për këtë servilitet

Nënkryetari i BDI-së, Arber Ademi, ka reaguar ashpër ndaj koalicionit VLEN dhe drejtuesve të tij, pas situatës së krijuar në Strugë lidhur me festimet e 28 Nëntorit dhe procedurat penale të nisura nga policia ndaj komunës për përdorimin e flamurit shqiptar gjatë ceremonive zyrtare, raporton ontarget.mk

Ademi tha se para zgjedhjeve, sa kohë BDI ishte në qeveri, VLEN “kërkonte ngritjen e flamurit lart e më lart”, ndërsa sot, pasi janë bërë pjesë e ekzekutivit, “e kanë lëshuar bajrakun”. Sipas tij, kjo tregon mungesë koherence dhe mosmbrojtje të dinjitetit kombëtar në momente të rëndësishme.

Ai kujtoi se gjatë fushatës parazgjedhore, drejtuesit e VLEN-it nuk i lejuan qytetarët të vendosnin flamurin në zemër të Tetovës dhe qyteteve të tjera shqiptare. Ndërsa këtë vit, me rastin e 28 Nëntorit, qytetarët që e ngritën flamurin si çdo vit, “u qortuan, u detyruan të kërkonin falje dhe madje u paditën nga policia”.

Reagimi i Ademit vjen pasi vetë kryeministri Mickoski kritikoi publikisht kryetarin e Komunës së Strugës për festimet e 28 Nëntorit, ndërsa policia nisi procedurë penale ndaj komunës për përdorimin e flamurit shqiptar.

“Edhe Rrahman Morina do t’ua kishte zili për shkallën e servilitetit dhe vasalitetit,” u shpreh Ademi, duke akuzuar drejtuesit e VLEN-it se po heshtin para veprimeve të qeverisë dhe të policisë ndaj simboleve kombëtare dhe autoriteteve lokale shqiptare.

Ngjarjet në Strugë kanë hapur një debat të ri politik mbi përdorimin e simboleve kombëtare dhe qasjen e forcave politike shqiptare brenda qeverisë së re./ontarget.mk/

Back To Top