Bejta kthehet në garë: Gostivari pyet… sa karatë ka kandidati i VLEN-it këtë herë?

GOSTIVAR — Koalicioni VLEN ka zyrtarizuar rikthimin e Nevzat Bejtës si kandidat për kryetar të Komunës së Gostivarit, duke hapur kështu një tjetër kapitull në skenën politike lokale. Rikandidimi i tij ka gjeneruar reagime të menjëhershme, si nga mbështetësit, ashtu edhe nga qytetarët që tashmë me humor pyesin: “Sa karatë politike paska këtë herë Bejta?”

Sipas përfaqësuesve të VLEN-it, vendimi për të garuar me Bejtën është marrë pas konsultimeve të brendshme, analizimit të anketimeve dhe vlerësimit të performancës së tij të mëparshme në drejtimin e komunës.

Bejta, përmes një njoftimi publik, shprehu mirënjohje për besimin e dhënë dhe theksoi se kandidimi i tij ka në qendër interesin e qytetarëve të Gostivarit. Në deklaratën e tij thuhet:

“Të nderuar qytetarë të Gostivarit,

Me lejen e Zotit, me vullnetin e qytetarëve, me rezultatet e anketimeve dhe pas konsultimeve me liderët e VLEN-it, është vendosur që kandidati i VLEN-it për këto zgjedhje në Gostivar të jem unë.

Për zyrtarizimin e kësaj nisme të ndershme dhe me qëllim të vetëm – të mirën e qytetit dhe të qytetarëve të Gostivarit – nesër në orën 12:00 do të dorëzojmë kandidaturën pranë Komisionit Komunal Zgjedhor.

Në emër tim, në emër të liderëve të VLEN-it dhe të shtabit qendror, ju ftojmë që nesër, në orën 12:00, te parku i vogël pranë komunës, të merrni pjesë në ceremoninë e dorëzimit të kandidaturës.

Takohemi nesër. Na priftë e mbara.

Me respekt,

Nevzat Bejta.”

Dorëzimi i kandidaturës pritet të bëhet nesër, në orën 12:00, në një ceremoni publike pranë komunës, ku pritet të marrin pjesë simpatizantë, përfaqësues të koalicionit dhe qytetarë të tjerë të interesuar.

Me rikthimin e Bejtës, fushata zgjedhore në Gostivar duket se do të ketë një dinamikë të re — dhe sipas humorit të qytetarëve, edhe disa “matje të karatëve politike”.

Back To Top