Drejtësi selektive – VMRO i shpërblen të dënuarit e ‘27 Prillit’ me liri
Shumica e të dënuarve për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit 2017 po lirohen një nga një nga burgu, duke ngritur dyshime serioze për drejtësi selektive dhe ndikim politik në sistemin gjyqësor. Sipas mediave vendore, lirimet po realizohen në një periudhë kur në pushtet ndodhet VMRO, çka përforcon perceptimin se autorët e 27 Prillit po shpërblehen me liri.
Burime nga Gjykata Penale bëjnë të ditur se Këshilli Penal ka miratuar lirimin me kusht për disa nga të dënuarit, me arsyetimin se kanë vuajtur mbi dy të tretat e dënimit. Para Vitit të Ri pritet të lirohen Munir Pepiq, Oliver Popovski, Vllatko Trajkovski, Dushko Lazarov, Jane Çento, Mitko Peshov, Goran Gjosevski dhe Nikolla Mitrevski.
Ndërkohë, më herët nga burgu kanë dalë edhe Mlladen Dodevski dhe Goran Angelov-Çoseto, ndërsa Oliver Radullov është liruar me kusht muaj më parë.
Paralelisht me këto lirime, pranë Gjykatës Penale është dorëzuar edhe kërkesë për rigjykim, me pretendimin për ekzistencën e dëshmive të reja. Ky zhvillim vjen në një kohë kur familjarë të viktimave dhe opinioni publik shtrojnë pyetjen nëse ligji po zbatohet njësoj për të gjithë, apo nëse pushteti politik po dikton drejtësinë.
Lirimet e njëpasnjëshme të të dënuarve për 27 Prillin kanë hapur debat të fortë publik mbi standardet e drejtësisë dhe mesazhin që u dërgohet qytetarëve për një nga ngjarjet më të rënda në historinë politike të vendit.
