Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mbajti Kongresin e Pestë të partisë, ku u konfirmua lidershipi aktual dhe u prezantuan ndryshime në strukturat drejtuese. Në këtë Kongres, Ali Ahmeti u rizgjodh kryetar i partisë, ndërsa u zgjodh edhe përbërja e re e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm.
Sipas njoftimit të BDI-së, në Kryesinë Qendrore janë përfshirë 20 anëtarë të rinj, të cilët përbëjnë mbi 60 për qind të përbërjes, ndërsa përfaqësimi gjinor është rritur në rreth 30 për qind gra, çka paraqet një risi në funksionimin e këtij organi drejtues.
Kryesia e re përbëhet nga Bujar Osmani, Faton Ahmeti, Arta Bilalli-Zendeli, Arbana Pasholli dhe Erkan Arifi si nënkryetarë, Arbër Ademi si sekretar i përgjithshëm, Nebi Rexhepi sekretar organizativ dhe Arbëresha Vlashi sekretare për mundësi të barabarta.
Në Kongres u theksua se partia do të vazhdojë me proceset reformuese dhe me forcimin e përfaqësimit të barabartë të komuniteteve, si dhe me angazhimin për zhvillim demokratik dhe institucional në vend.
Gjatë fjalimit të tij, kryetari Ali Ahmeti propozoi që formimi i përbërjes së re të Qeverisë të bëhet me shumicë të dyfishtë sipas parimit të Badenterit, duke theksuar rëndësinë e funksionimit të drejtë të institucioneve dhe ruajtjes së unitetit shtetëror. Ai gjithashtu bëri thirrje për veting të plotë dhe hetim gjithëpërfshirës për funksionarët publikë të dekadave të fundit.
