Shtretër, gjum, bonuse dhe keqpërdorime, punonjës i M-NAV denoncon prapavijë politike dhe lidhje me VMRO-DPMNE

Në redaksinë tonë kanë mbërritur fotografi dhe mesazhe nga një person i cili pretendon se është i punësuar në M-NAV (Kontrolli i Fluturimeve) dhe i cili dërgon informacione dhe prova për probleme serioze në funksionimin e institucionit.

Sipas pretendimeve të tij, një pjesë e personelit operativ gjatë ndërrimeve fle në vendin e punës, pikërisht në pozicione që janë drejtpërdrejt përgjegjëse për sigurinë e trafikut ajror. Bëhet fjalë për shërbime që duhet të monitorojnë vazhdimisht sistemet radarike, komunikimin me pilotët dhe koordinimin me aeroporte të tjera, gjë që, sipas bashkëbiseduesit, përbën një rrezik serioz për sigurinë.

Njëkohësisht, ai pretendon se drejtuesit e M-NAV kanë marrë vendime për ndarjen e bonuseve prej 150% të pagës bazë, pikërisht në një periudhë kur institucioni, sipas informatave të tij, është përballur me probleme serioze teknike, madje edhe me momente kur ka mbetur pa radar funksional.

Veçanërisht shqetësuese janë edhe pretendimet për nepotizëm klasik, ku, siç pohon personi, lidhje të ngushta familjare të drejtuesve janë shfrytëzuar për emërime në funksione dhe për shpërblime të larta financiare, gjë që cenon më tej besimin në profesionalizmin dhe integritetin e institucionit.

Në komunikim, bashkëbiseduesi thekson edhe prapavijën politike të një pjese të drejtuesve, duke deklaruar se ata perceptohen si të afërt me VMRO-DPMNE-në. Në këtë kontekst, ai konkretisht pretendon se drejtori Vladimir Ristevski në institucion konsiderohet si njeri i afërt me ministrin e Transportit Aleksandar Nikolloski, nën kompetencën e të cilit formalisht bie fusha e aviacionit.

Sipas bashkëbiseduesit, këto marrëdhënie politike, të kombinuara me lidhjet e ngushta mes drejtuesve në M-NAV dhe në Agjencinë e Aviacionit Civil – institucioni përgjegjës për mbikëqyrje – hapin pyetje serioze për konflikt interesi, kontroll institucional dhe përgjegjësi.

Aspekti financiar, sipas informatave të dorëzuara, është gjithashtu i diskutueshëm: një bonus prej 150% mbi një pagë rreth 300.000 denarë nënkupton pagesë të një shume shtesë të konsiderueshme, në një periudhë kur, siç pretendon bashkëbiseduesi, prioritet duhej të ishte siguria, e jo shpërblimi.

Personi që na u drejtua thekson se qëllimi i tij nuk është përplasje partiake, por të vërë në pah një gjendje që prek drejtpërdrejt sigurinë e qytetarëve dhe trafikun ajror, dhe se këto probleme duhet të adresohen pavarësisht se cila parti është në pushtet.

Back To Top