Aktivisti i VLEN-it shpërthen – deri tash s’kam folur, por koha për të folur ka ardhur

Një aktivist i VLEN-it ka reaguar publikisht përmes një shkrimi, duke shprehur pakënaqësinë e tij ndaj zhvillimeve të fundit brenda strukturave partiake dhe mënyrës së funksionimit.

“Deri tash s’kam folur, por duhet me fol tash”, shkruan ai, duke theksuar se fillimisht ka zgjedhur heshtjen, por sipas tij, rrethanat e kanë detyruar të reagojë.

Aktivisti thekson se ai dhe bashkëpunëtorët e tij iu bashkuan angazhimit politik me bindjen se po vinte një frymë e re, e përbërë nga njerëz të shkolluar, me vullnet dhe me dëshirë për ta drejtuar vendin më mirë. Sipas tij, janë ofruar kuadro me mesatare të larta, përvojë profesionale dhe profile që vështirë se gjenden, vetëm për hatër të shoqërisë dhe idealit për ndryshim.

Megjithatë, ai shprehet se përplasja ka ardhur në momentin kur ka kërkuar që në pozita të mbesin më të mirët. “Kur ju thashë që duhet me luftu që ma të mirët me i lanë në pozita, përgjigjja ishte: ‘janë shumë të kualifikuar, s’i marrim në dorë’”, shkruan ai.

Si pasojë, aktivisti thotë se është larguar nga angazhimi, pasi ka arritur në përfundimin se, sipas tij, sa më i dobët të jetë një individ, aq më lehtë merr pozitë. Ai thekson se nuk mund të pranojë një realitet ku vlerësimi nuk bazohet në meritë, duke shtuar se nuk mund të bie në nivelin e atyre që, sipas tij, kanë siguruar diploma pa meritë.

Në reagimin e tij, ai nënvizon se nuk e konsideron veten egoist apo mendjemadh, por se ka vendosur të distancohet plotësisht nga njerëzit që, siç thotë ai, kanë folur pas shpine. “Për deri këtu, mjaft. Për atë arsye, as përshëndetje, as selam”, përfundon reagimin e tij.

Back To Top