VLEN në luftë me veten: Avokati i Popullit ndez përplasjen e radhës
Përplasjet brenda koalicionit VLEN po vazhdojnë çdo ditë dhe po marrin përmasa gjithnjë e më të shëmtuara. Lufta për poste po shndërrohet në një obsesion që po konsumon gjithë energjinë e këtij koalicioni, ku funksionarët i shohin institucionet si vende pune e jo si përgjegjësi publike – madje edhe kur janë ministra.
Në një skenë që të kujton intriga dhe grindje bizantine, përfaqësimi politik i shqiptarëve është degraduar në një nivel që nuk mbahet mend as në periudhat më të këqija. Këtë herë, beteja ka shpërthyer rreth postit të Avokatit të Popullit, ku LD BESA dhe Alternativa janë përplasur ashpër.
Sipas informacioneve, konflikti ka dalë jashtë kontrollit: fyerje, akuza të rënda dhe madje edhe momente tensioni që kanë rrezikuar të përfundojnë në përplasje fizike.
