Blerim Bexheti: Kur mungojnë argumentet, sulmohen fëmijët e mi

Blerim Bexheti ka reaguar ndaj, siç i cilëson ai, sulmeve dhe spekulimeve të pabaza, duke i quajtur ato një absurditet të radhës në skenën publike.

“Sinqerisht, kemi arritur në absurditet kur ‘skandal i madh’ në shtet qenka bërë fakti që fëmijët e mi madhorë kanë hapur një kompani në mënyrë plotësisht ligjore, transparente dhe përmes Regjistrit Qendror. Një kompani që, ndër shumë veprimtari të tjera, ka të regjistruar edhe veprimtari të ndërtimtarisë. Sipas kësaj logjike, çdo i ri që hap një kompani automatikisht ‘qenka ndërtues pallatesh’”, thekson Bexheti.

Ai shton se sot duket se “mëkati më i madh është nëse një i ri përpiqet të bëhet sipërmarrës, në vend që të punësohet në një institucion publik me rrogë të mirë përmes partisë”.

Sipas Bexhetit, po ndërtohet qëllimisht një “histori dramatike” rreth një kompanie që:

nuk ka fituar asnjë tender, nuk ka lidhur asnjë kontratë, nuk ka filluar asnjë aktivitet biznesi.

“Disa media dhe struktura politike jetojnë nga senzacionet dhe nga montimi i ‘aferave’ aty ku ato nuk ekzistojnë, me qëllim të vetëm shtrembërimin e realitetit dhe njollosjen e personalitetit tim dhe të familjes sime”, deklaron ai.

Bexheti sqaron se i vetmi pretendim ndaj tij është se me një vonesë prej tre muajsh nuk e ka paraqitur themelimin e kompanisë në Komisionin Antikorrupsion.

“Bëhet fjalë për një kompani që nuk punon, nuk fiton dhe nuk ka asnjë lidhje me para publike. Sipas interpretimit tim të ligjit, duke marrë parasysh se fëmijët e mi jetojnë ndaras nga unë, nuk ka ekzistuar obligim për ta paraqitur. Megjithatë, nëse KSHPK vlerëson se ka pasur obligim, unë do ta paraqes – me një vonesë prej vetëm tre muajsh”, thekson ai.

Në reagimin e tij, Bexheti ngre pyetjen se pse nuk flitet për skandalet reale:

kompani me vetëm dy të punësuar që kanë marrë tenderë prej 9 milionë euro, 161 tenderë të ndarë për një kompani në vlerë prej 5,3 milionë euro, kontrata prej 1,2 milionë euro në institucione shtetërore që kanë përfunduar te persona të afërt me elitat e reja politike.

“E ‘krimi’ im qenka që fëmijët e mi madhorë kanë themeluar një kompani që nuk ka asnjë tender, asnjë faturë dhe asnjë punë të realizuar. Kur nuk kanë argumente kundër meje, fillojnë t’i sulmojnë fëmijët e mi – dhe kjo flet shumë më tepër për ta sesa për mua”, përfundon Bexheti.

Ai thekson se mbetet konsekuent në qëndrimin e tij: institucionet le të punojnë dhe ligji le të vlejë për të gjithë, ndërsa “senzacionet e montuara do të mbeten në nivel të spekulimeve dhe senzacionalizmit të lirë”.

Back To Top