Furkan Saliu reagon: Rit fetar në oborrin e policisë, shkelje e shtetit sekular
Gazetari Furkan Saliu ka reaguar pas publikimit të një fotografie ku shihet një prift duke kryer rit fetar mbi automjete zyrtare të policisë, brenda oborrit të një institucioni shtetëror të sigurisë.
Sipas Saliut, ky veprim nuk mund të arsyetohet si “traditë”, por përbën shkelje të qartë të parimit të shtetit sekular. Ai thekson se riti nuk është kryer në kishë apo në hapësirë private, por brenda një institucioni shtetëror, çka sipas tij është e papranueshme.
“Policia në Maqedoni është multietnike dhe shumëfetare dhe duhet t’u shërbejë të gjithëve në mënyrë të barabartë. Ajo nuk i përket asnjë feje”, shkruan Saliu, duke paralajmëruar se lejimi i një feje në hapësirë zyrtare dërgon mesazhin se institucioni ka fe dominuese.
Ai vlerëson se nuk bëhet fjalë për simbolikë, por për institucionalizim të fesë dhe shkelje të Kushtetutës, e cila e definon shtetin si sekular. “Shteti mbrohet me ligj, jo me ujë të bekuar”, thekson ai.
Në reagimin e tij, Saliu ngre edhe pyetjen se çfarë precedentësh krijohen me veprime të tilla: nëse sot automjetet bekohen nga një prift, nesër kush do të jetë – hoxha, rabini, apo vetëm feja shumicë?
Në fund, ai nënvizon se shteti sekular nuk funksionon mbi baza traditash fetare, por mbi parimin e barazisë, dhe se policia duhet të jetë institucion i të gjithëve, jo i një feje të caktuar.
