Ndërsa Tetova po mbytet në mbeturina, rrugë të shkatërruara dhe shërbime publike që mezi funksionojnë, një gjë këtë javë funksionoi perfekt: luksi personal i pushtetit.
Në takimin e liderëve u shfaq një BMW 7 Series i gjeneratës së fundit, një nga makinat më të shtrenjta që prodhon BMW. Një makinë që në tregun evropian kushton nga 140.000 deri në 160.000 euro, varësisht nga versioni dhe pajisjet. Me grilë gjigante, ndriçim luksoz dhe brendi të nivelit të avionëve privatë, kjo makinë nuk është thjesht automjet — është deklaratë pasurie.
Pamjet e mbërritjes së Bilal Kasamit me këtë limuzinë luksoze shpërthyen në rrjetet sociale. Për shumë qytetarë, kontrasti ishte i dhimbshëm: një kryetar komune që drejton një qytet me probleme elementare, por që lëviz me makinë që kushton sa disa shtëpi në Tetovë.
BMW 7 Series nuk është makinë për zyrtarë që flasin për varfëri dhe krizë. Është makinë për elita që nuk e ndjejnë as çmimin e bukës, as faturën e rrymës, as rrugët me gropa.
Pyetja që po shtrohet gjithandej është e thjeshtë:
Si mundet një komunë pa investime, pa shërbime dhe pa standard të mbajë një “stil jete” prej 150 mijë eurosh në katër rrota?
