Dje u vulos edhe një emërim që e shkatërron përfundimisht mitin e “meritokracisë” që Mexhiti e predikon çdo ditë. Besim Koka, dhëndri i Burim Latifit – kushëririt të Mexhitit – u emërua drejtor në Drejtorinë e Rezervave Shtetërore. Një tjetër post publik i kapur nga rrethi familjar i ngushtë i Mexhitit.
Pak më herët, Burim Latifi, kushëri i Mexhitit, u emërua drejtor i MEPSO-s, një prej institucioneve më strategjike të energjisë në shtet. Tani, edhe kunati i tij hyn në listën e përfituesve të pushtetit. Ndërkohë, aktivistët e Lëvizjes Demokratike, njerëzit që punuan në terren, që mbajtën fushata dhe që besuan në premtimin për drejtësi dhe barazi, po mbeten jashtë, të anashkaluar dhe të përbuzur.
Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me reformë apo profesionalizëm. Kjo është shndërrimi i shtetit në pronë familjare. LD, nën drejtimin e Mexhitit, po sillet si një klan, ku postet ndahen sipas lidhjeve të gjakut dhe jo sipas meritës. Çdo emërim i ri po e bën edhe më të qartë se premtimi për ndryshim ishte vetëm një mashtrim, ndërsa pushteti po përqendrohet në duart e një rrethi të vogël familjar.
