BDI reagon: Ku u zhdukën bagerët? Ku u zhdukën premtimet?
Para zgjedhjeve, Komuna e Çairit u shndërrua në skenë propagandistike. Dy bagerë u vendosën në terren, u krijua zhurmë mediatike dhe u ndërtua perceptimi se po fillonte një epokë e re punësh të mëdha: rrugë të reja, renovime shkollash, ashensorë për ndërtesat e vjetra dhe përmirësim real i jetës së qytetarëve.
Sot, pas zgjedhjeve, gjithçka është ndalur. Bagerët janë zhdukur. Nuk ka rrugë të asfaltuara, nuk ka shkolla të renovuara, nuk ka ashensorë dhe nuk ka projekte të dukshme në terren. I vetmi “aktivitet” që qytetarët shohin çdo ditë është ndërtimi ilegal – kate që ngrihen mbi objekte ekzistuese, pa procedura dhe pa kontroll institucional.
Edhe buxheti i Komunës së Çairit për vitin 2026 e konfirmon këtë realitet shqetësues. Në dokument nuk figuron asnjë projekt zhvillimor që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Nuk ka investime kapitale për infrastrukturë, arsim apo hapësira publike. Në të njëjtën kohë, janë paraparë dhjetëra mijëra euro për Restoran “1sh” – shpenzime ushqimore luksoze për funksionarë – ndërsa komuna mbetet pa punë konkrete dhe pa investime reale.
Çairi nuk ka nevojë për tavolina të shtruara me ushqime luksi për pushtetin. Ka nevojë për rrugë funksionale, shkolla dinjitoze dhe rend urban. Qytetarët nuk votuan për bagerë që shfaqen para zgjedhjeve dhe zhduken pas tyre, por për projekte që vazhdojnë edhe kur kamerat fiken.
Sot, dokumentet dhe terreni flasin njësoj: premtimet u ndalën me zgjedhjet, ndërsa Çairi po mbetet peng i propagandës dhe i ndërtimeve pa ligj.
