Pakënaqësia ndaj projektit “Safe City” po kthehet në revoltë publike. Në rrjetet sociale, qytetarë të shumtë kanë nisur organizimin e një proteste kundër këtij koncepti, duke e drejtuar zemërimin kryesisht ndaj partive të koalicionit VLEN.
Sipas reagimeve online, qytetarët theksojnë se nuk janë kundër kufizimit të shpejtësisë dhe rregullave në trafik, por kundër asaj që e quajnë diskriminim të hapur: sistemi po vendoset vetëm në tre qytete, ndërsa pjesa tjetër e vendit përjashtohet.
Një tjetër shqetësim i madh është privatësia. Qytetarët paralajmërojnë se kamerat dhe monitorimi masiv po cenojnë të drejtat personale dhe po krijojnë një ndjenjë survejimi të përhershëm.
Sipas kritikëve, qëllimi real nuk është siguria, por mbushja e buxhetit përmes gjobave, në një kohë kur financat shtetërore janë në krizë.
Thirrjet për protestë po shtohen nga ora në orë, ndërsa rrjetet sociale po kthehen në qendrën e organizimit kundër “Safe City”.
