Sipas vlerësimeve fillestare, projekti SafeCity pritet të mbledhë rreth 1 milion euro në muaj nga qytetarët, vetëm në tre qytete të vendit. Këto para do të mblidhen kryesisht përmes gjobave dhe sanksioneve automatike, duke e kthyer sistemin në një mekanizëm masiv arkëtimi.
Nëse kjo shifër konfirmohet, atëherë bëhet fjalë për 12 milionë euro në vit, të nxjerra drejtpërdrejt nga buxheti familjar i qytetarëve. Në kushte kur inflacioni dhe çmimet tashmë po rëndojnë jetën e përditshme, kjo do të thotë varfërim i mëtejshëm i popullsisë, jo rritje e sigurisë.
Projekti po prezantohet si masë për rend dhe disiplinë në trafik, por pyetja kryesore mbetet:
a është SafeCity projekt për siguri publike, apo për mbushje arkash?
Pa transparencë për kostot reale dhe pa garanci se qëllimi është parandalimi dhe jo ndëshkimi masiv, ky projekt rrezikon të shndërrohet në një barrë të re financiare për qytetarët, veçanërisht për shtresat me të ardhura të ulëta.
