Besimtarët myslimanë në Ohër vazhdojnë të mbeten pa imam, pasi çështja e imamit Sabahudin Zeqiri ende nuk ka marrë asnjë zgjidhje zyrtare. Pavarësisht reagimeve në opinion dhe shqetësimit të shprehur nga komuniteti lokal, Bashkësia Fetare Islame (BFI) dhe Reis-ul-ulema vazhdojnë të heshtin.
Prej një kohe të gjatë, mungesa e një qëndrimi të qartë institucional ka krijuar paqartësi dhe pakënaqësi te besimtarët, të cilët ndihen të lënë pas dore dhe pa përfaqësim fetar. Çështja e imamit Zeqiri, e cila pritej të zgjidhej përmes procedurave të brendshme të BFI-së, duket se është bllokuar pa asnjë sqarim publik.
Heshtja e institucioneve më të larta fetare po interpretohet nga opinioni si neglizhencë ndaj nevojave shpirtërore të besimtarëve në Ohër, një qytet me traditë dhe jetë aktive fetare. Deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar për arsyet e zvarritjes apo për hapat që do të ndërmerren për zgjidhjen e situatës.
Besimtarët kërkojnë transparencë, përgjegjësi dhe një vendim të menjëhershëm, duke theksuar se feja nuk duhet të bëhet viktimë e heshtjes institucionale apo e kalkulimeve të brendshme.
