Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së zbatimit të projektit “Safe City”, duke theksuar se ky projekt po anashkalon në mënyrë flagrante përdorimin e gjuhës shqipe, në kundërshtim me Marrëveshjen për Paqe dhe kornizën kushtetuese të vendit.
Sipas BDI-së, është e papranueshme që në një shtet multietnik dhe dygjuhësh, teknologjia dhe sistemet shtetërore të funksionojnë vetëm në një gjuhë, duke përjashtuar shqipen nga komunikimi institucional dhe publik. “Kamerat dhe sistemet digjitale po shohin gjithçka, por shteti po refuzon të shohë një të drejtë themelore – gjuhën shqipe”, thuhet në reagim.
BDI paralajmëron se injorimi i gjuhës shqipe nuk është thjesht çështje teknike, por shkelje serioze politike dhe juridike e Marrëveshjes për Paqe, e cila garanton barazinë gjuhësore dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Nga kjo parti kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për korrigjimin e situatës, duke theksuar se çdo projekt shtetëror duhet të respektojë plotësisht parimin e barazisë dhe bashkëjetesës. “T’i themi mjaft shkeljeve të Marrëveshjes për Paqe dhe përjashtimit sistematik të gjuhës shqipe”, përfundon reagimi i BDI-së.
