Luftë kundër korrupsionit apo teatër? Kryetarët fshehin milionat pas familjes

Kryetarë komunash që flasin për moral, ndershmëri dhe “punë 24/7 për qytetarët”, por dështojnë të respektojnë detyrimin elementar ligjor për transparencë financiare.

Evis Halili

Shkup, 29 janar – Transparenca në pushtetin lokal po mbetet vetëm një slogan elektoral. Edhe pse Ligji është i qartë dhe afatet janë të përcaktuara, një pjesë e kryetarëve të rinj të komunave, të dalë nga zgjedhjet lokale të nëntorit 2025, ende nuk e kanë paraqitur ose azhurnuar gjendjen e tyre pasurore pranë Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Lista anketuese, e cila duhet të dorëzohet brenda 30 ditëve nga marrja e mandatit, për shumë funksionarë vazhdon të mbetet dokument i harruar, i plotësuar sipërfaqësisht ose fare i paparaqitur. Praktika e vjetër e mosdeklarimit të pasurisë reale, fshehjes pas emrave të prindërve apo bashkëshortëve dhe shmangies së përgjegjësisë ligjore, po vazhdon edhe pas zgjedhjeve të fundit.

Kjo situatë ngre dyshime serioze për sinqeritetin e premtimeve për luftë kundër korrupsionit. Kryetarë komunash që flasin për moral, ndershmëri dhe “punë 24/7 për qytetarët”, nuk arrijnë të respektojnë as obligimin më elementar ligjor: transparencën financiare.

Në këtë kontekst, rasti i kryetarit të ri të Shkupit, Orce Gjorgjievski, por edhe i disa kryetarëve të tjerë nga VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit VLEN, hap sërish pyetjen kyçe:

A është deklarimi i pasurisë një formalitet i bezdisshëm për pushtetin lokal, apo një detyrim që qëllimisht anashkalohet?

Plotësimi joprofesional dhe sipërfaqësor i listave anketuese tashmë është shndërruar në praktikë të njohur. Një sjellje e tillë përbën nënçmim të drejtpërdrejtë të obligimeve ligjore dhe minon rëndë besimin e qytetarëve në institucionet publike. Në disa raste, funksionarët nuk deklarojnë as banim në emrin e tyre personal, as në emër të bashkëshortit apo bashkëshortes, madje as në emër të prindërve. Gjithçka mbetet e fshehur “nën qilim”.

“Fillimisht njeri, pastaj kryetar komune” – me këtë slogan zhvilloi fushatën zgjedhore në kryeqytet kandidati i atëhershëm i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Sot, tre muaj pas marrjes së mandatit, ai ende nuk e ka dorëzuar gjendjen e re pasurore në afatin ligjor pranë Komisionit Antikorrupsion.

Javorja Fokus ka biseduar me Gjorgjievskin për këtë çështje. Ai ka deklaruar se gjatë javës do ta dorëzojë listën anketuese, duke theksuar se gjendja e tij pasurore nuk ka pësuar ndryshime të rëndësishme.

“Për shkak të angazhimeve intensive që nga momenti kur u bëra kryetar komune dhe gjendjes së rënduar në të cilën e mora qytetin, nuk arrita ta dorëzoj listën anketuese. Këtë do ta bëj në ditët e ardhshme. Përndryshe, nuk kam ndryshime në pasurinë time, përveç faktit se tani kam një veturë”, ka deklaruar ai.

Nga lista e tij e mëparshme anketuese rezulton se Gjorgjievski, në emrin e tij personal, posedon dy banesa prej 67 dhe 64 metrash katrorë. Në emër të prindërve janë të regjistruara një shtëpi, një vikend-shtëpi dhe tokë ndërtimore. Janë deklaruar gjithsej tre automjete, dy në emër të tij dhe një në emër të prindërve, si dhe një kredi prej rreth 40 mijë eurosh, pa u saktësuar bartësi i saj.

Ashtu si kryetari i Shkupit, edhe kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, i cili po udhëheq mandatin e dytë, ende nuk ka dorëzuar listën e re anketuese. Në faqen zyrtare të komunës shkruhet se ai “punon i përkushtuar 24/7/365 për qytetarët”, ndërsa nga gjendja pasurore e mandatit të kaluar rezulton se nuk posedon asnjë pasuri të paluajtshme në emrin e tij personal. Një shtëpi prej 350 metrash katrorë në Shkup figuron në emër të prindërve, ndërsa ai ka deklaruar vetëm një automjet në emrin e tij.

Në listën e funksionarëve që kanë ngritur debat publik për transparencën pasurore janë edhe kryetarët nga koalicioni VLEN. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, nga lista e dorëzuar në Komisionin Antikorrupsion paraqitet me një gjendje relativisht modeste – të paktën në letër. Ai nuk posedon asnjë pasuri të paluajtshme në emrin e tij personal, ndërsa prindërit e tij kanë një shtëpi në Çair. Mexhiti ka deklaruar vetëm një automjet dhe pagën si të ardhura personale.

Ndryshe nga Mexhiti, kryetari i Tetovës dhe lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ka një listë më të pasur, por pa shtëpi apo banesë në emrin e tij personal. Pasuria e paluajtshme figuron në emër të prindërve dhe bashkëshortes dhe kap vlerën mbi 250 mijë euro. Edhe automjetet nuk janë në emrin e tij personal, ndërsa ai ka deklaruar vetëm disa llogari valutore.

Kjo praktikë tashmë po shndërrohet në “normalitet”: funksionarë publikë të pastrehë në letra, por me pasuri të konsiderueshme të regjistruara në rrethin e ngushtë familjar. Pyetja që mbetet pa përgjigje është e thjeshtë:

A po luftohet vërtet korrupsioni, apo thjesht po luhet një teatër për publikun?

Back To Top