Pas një periudhe të shënuar nga tensione dhe komunikim i ftohtë, marrëdhëniet mes ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duket se kanë hyrë në një fazë të re. Takimi i fundit mes tyre është shoqëruar me buzëqeshje, gjuhë pozitive dhe mesazhe bashkëpunimi, duke sinjalizuar rikthimin e një klime miqësore dhe diplomatike.
Burime pranë zhvillimeve theksojnë se palët kanë lënë pas keqkuptimet e mëhershme dhe janë fokusuar te interesat e përbashkëta, veçanërisht në çështjet që prekin qytetarët dhe bashkëpunimin institucional. Kjo kthesë vjen në një moment kur koordinimi mes institucioneve lokale dhe përfaqësive diplomatike shihet si i domosdoshëm për stabilitetin dhe avancimin e agjendave të përbashkëta.
